Futboll

Merr fund pritja, Liverpuli kampion i Anglisë pas 30 vitesh

Aritmetika bën zyrtar titullin kampion të Liverpulit. Të kuqtë janë kampionët e rinj të Anglisë edhe pa luajtur, me 86 pikë në 31 javë, me 28 fitore, 2 barazime dhe vetëm 1 humbje. Mançester Siti duhej të fitonte në fushën e Çelsit për të mbajtur gjallë garën, por ka humbur 2-1 dhe kështu Liverpuli i jep fund “agjërimit” 30-vjeçar.

Për herë të parë që prej vitit 1990, Liverpuli ngjitet në çatinë e futbollit anglez. Pak më shumë se 30 vjet pritje, saktësisht 11016 ditë. Ka kaluar shumë kohë nga 28 prilli i 1990-ës deri më 25 qershor 2020. Një interval i gjatë 1573 javë, ku Liverpulit i ka munguar titulli kampion në Angli. Ky ishte sezoni i duhur, u duk që në javët e para të kampionatit. Skuadra e trajnerit Jurgen Klop ka bërë një sezon të shkëlqyer, edhe pse pandemia e Koronavirusit që gjunjëzoi gjithë botën, goditi edhe futbollin.

Liverpuli feston një fitore në kampionat. Gazeta Si, 26 qershor 2020

Ishte viti perfekt për Liverpulin, që ndërtoi një skuadër model. Suksesi nisi në qershor të 2019-ës, me fitimin e Ligës së Kampionëve, për të vazhduar me Superkupën e Europës dhe Botërorin e Klubeve. Kishte mbetur vetëm titulli kampion, që tashmë është bërë realitet. I shkoi shumë afër sezonin e shkuar, por u mposht nga Mançester Siti, me 1 pikë më shumë, 98 skuadra e Guardiolës dhe 97 ajo e Klop. Këtë herë Liverpuli ishte i papërmbajtshëm dhe krijoi një distancë prej 25 pikësh nga Siti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë