Ndërkohë që kancelarja gjermane Angela Merkel përgatitet të marrë sot kryesinë e Këshillit të Bashkimit Europian, ambasadori gjerman në Tiranë Peter Zingraf paraqiti përparësitë e presidencës së vendit të tij.
Ai vuri theksin tek perspektiva europiane e Shqipërisë, duke e bërë të qartë kërkesën gjermane për Shqipërinë: përmbushjen e 15 kushteve të BE-së për hapjen e negociatave.
Duke theksuar se këto kushte kishin kaluar edhe nga Bundestangu Gjerman, Zigraf deklaroi se Gjermania do të donte të shihte avancimim në reforma dhe realizimin e këtyre detyrave sa më parë të ishte e mundur, në mënyrë që Shqipëria të nisë hapjen e kapitujve.
Vendi që mban kryesinë e Këshillit Europian, ka mes të tjerash edhe detyrën e mbarëvajtjes se negociatave dhe monitorimin në reforma të vendeve kandidate, si Shqipëria apo Maqedonia e Veriut.
“Pjesë e Europës është edhe perspektiva europiane e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor”, deklaroi ambasadori duke folur për përparësitë e presidencës gjermane. “Dhe nëse dëshirojmë të nxisim më tej këtë perpektivë si motor dhe moderator i saj. Më vjen mirë që presidenca jonë vjen pas marrjes së vendimit për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit.
Sipas tij, ajo që dhe të shërbejë si manual për integrimin e vendit tonë janë 15 kushtet e BE-së.
“Kushtet e formuluara paraprakisht, të cilat ishin shtruar edhe në vendimin e Bundestagut janë cilësuar në vend si udhërrëfues për kalendarin e reformave. Uroj që institucionet shqiptare t’i vënë vetes qëllime ambicioze në zbatimin e këtyre të reformave, në mënyrë që kushtet të përmbushen përpara konferencës së parë të anëtarësimit. Ato janë thelbësore për vendin dhe duhen zbatuar në një periudhë të afërt kohore”, theksoi ambasadori.
Zingraf premtoi po ashtu mbështetje për vendin tonë për rimëkëmbjen ekonomike për shkak të pandemisë së koronavirusit.
“Ne do të mbështesim Shqiërinë përmes dërgimit masiv të instrumentave mjekësore apo mbështetjes së grupeve vunerabël”, deklaroi ambasadori gjerman.
Deklarata e tij vjen vetëm një javë pasi Grupi i Partisë Popullore Europiane ka kërkuar po ashtu nisjen sa më parë të punës për plotësimin e kushteve.
Me miratimin e Reformës Zgjedhore, Shqipëria duket se ka nisur nga puna për hapjen e kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian, por lista e detyrave është e gjatë dhe e vështirë. Në një deklaratë, PPE u bën thirrje aktorëve politikë shqiptare të plotësojë edhe 15 kushtet e tjera për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit. Eurodeputeti gjerman Michael Gahler, u shpreh në një deklaratë se hap i radhës duhet të jetë ndjekja penale kundër atyre që kanë blerë vota në zgjedhjet e kaluara.
“Zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe lokale duhet të jenë të lira e të ndershme. Kjo është thelbësore për demokracinë në Shqipëri, por, gjithashtu, plotëson dy kushte të BE për fillimin e negociatave të anëtarësimit. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të punojnë për plotësimin e 15 kushteve që duhet të përmbushë Shqipëria në mënyrë që të çelen negociatat”, u shpreh Gahler.
Ndërkohë Gahler bëri thirrje edhe për rishikim të ligjit anti- shpifje, për të cilën doli kundër edhe Komisioni i Venecias, duke theksuar se rrezikon lirinë e shprehjes.
“Ne insistojmë për anulimin e legjislacionit që rrezikon lirinë e shprehjes, si dhe për procedimin penal kundër atyre që kanë blerë vota në zgjedhjet e shkuara”, përfundon deklarata.
Shqipëria ka marrë në mars dritën jeshile për hapjen e negociatave nga Këshilli Europian, me kusht që të bëjë “një mal” me “detyra shtëpie”. KE vendosi një liste të gjatë kushtesh që duhet të plotësojë vendi ynë, duke filluar me dënimin e shitblerjes së votave, censusi i popullsisë, ligii për minoritetet dhe duke përfunduar me vendimi përfundimtar për ligjshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019.
“Përpara konferencës së parë ndërqeveritare, Shqipëria duhet të miratojë reformën elektorale në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, të sigurojë një financim transparent të partive politike dhe fushatave elektorale, të sigurojë zbatimin e vazhdueshëm të reformës gjyqësore, duke siguruar funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke marrë parasysh ekspertizën e rëndësishme ndërkombëtare, që përfshin opinionet e Komisionit të Venecias dhe të përfundojë krijimin e strukturave të specializuara kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit”,thekson drafti. Kuadri i negociatave duhet të miratohet nga Këshilli dhe duket të pasqyrojë faktin që Shqipëria i ka zbatuar me sukses pesë prioritete, të tilla si: nisjen e procedurave penale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë akuzuar gjatë procesit të Vettingut për sjellje kriminale, nisjen e procedurave ndaj personave të akuzuar për blerje të votës, një goditje të dukshme të krimit të organizuar e korrupsionit në të gjitha nivelet, duke përfshirë nisjen e procedurave dhe plotësimin e procedimeve të para ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë e politikanëve, progres të dukshëm në reformën e administratës publike, zbatimin e reformës së ligjit elektoral, si dhe vendimin përfundimtar rreth ligjshmërisë së zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, po ashtu sikurse edhe përparim të mëtejshëm në zbatimin e mbetur të legjislacionit të vitit 2017 lidhur me kuadrin ligjoe në mbrojtje të pakicave kombëtare, miratimin e ligjit për censusin e popullsisë në përputhje me rekomandimet e Këshillit dhe përparim në procesin e regjistrimit të pronave”, theksonte KE në deklaratën e saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje