Vlerësimi i komentatorëve sportivë është i ndikuar nga ngjyra e lëkurës së futbollistëve. Ky është rezultati i një studimi nga Angli nga “PFA” (Një shoqatë e futbolistëve anglezë), pasi ka analizuar 80 ndeshje të Premier Ligës, Serisë A, La Ligës dhe Ligës 1 të sezonit aktual. Në secilën prej këtyre ndeshjeve janë regjistruar transkriptet dhe gjykimet tekniko/taktike pozitive apo negative (në total 2074) të shprehura për 643 futbollistë nga komentatorët në gjuhën angleze.
Rezultatet e kanë çuar “PFA”-në në konkluzionin se gjykimi është i kushtëzuar nga ngjyra e lëkurës së futbollistëve.
Vlera për inteligjencën taktike: ky vlerësim pozitiv është shprehur për lojtarët ”e bardhë” në 62.6% të rasteve, kurse për lojtarët me ngjyrë në 37.4% të rasteve. Kritika për inteligjencë taktike të dobët është shprehur në 63.33% të rasteve për lojtarët me ngjyrë dhe në 36.67% të rasteve për lojtarët “e bardhë”. Adoptimi i saktë në fushë është shprehur në 65.79% të rasteve për “të bardhët” dhe 34.21% për lojtarët me ngjyrë. Kritikat për këtë komponent u janë adresuar në 73.53% të rasteve lojtarëve me ngjyrë dhe në 26.47% të rasteve “të bardhëve”. Kualiteti teknik është në raportin 62.8% për “të bardhët” ndaj 37.2% të lojtarëve me ngjyrë.
Futbollistët me ngjyrë janë “të burgosur” të stereotipit të zakonshëm. Ata lavdërohen gjithmonë më shumë se të tjerët vetëm kur flitet për forcë fiziko/atletike dhe shpejtësi. Vlerësimi i këtij komponenti është dukshëm në favor të lojtarëve me ngjyrë, në 84.17% të rasteve. Duke komentuar rezultatet e këtij studimi, Xhejzon Li, një nga drejtuesit e PFA, thotë se paragjykimet racore influencojnë realisht perceptimin dhe vlerësimin për një futbollist.
“Këto paragjykime kushtëzojnë opinionin dhe mund ta dëmtojnë një lojtar edhe pas karrierës së tij. Le të supozojmë se një lojtar me ngjyrë ka ambicie për t’u bërë trajner: duke qenë gjithmonë i etiketuar si lojtar force dhe pak inteligjent taktikisht, mund të penalizohet shumë në rrugëtimin e tij si teknik”, – shpjegon Li.
Kurse Kliv Tilldesli, telekronist i njohur i “ITV”, i intervistuar nga “Daily Mail”, shprehet: “Duhet shumë kujdes kur shpreh vlerësimin për një lojtar dhe jam i gatshëm çdo sugjerim të dobishëm për t’u përmirësuar profesionalisht. Por, nëse me akuzojnë se shpreh gjykimin tim duke u bazuar te stereotipet racore, nuk jam dakord. Unë flas për atë që shoh, kështu që do vazhdoj ta përcaktoj Adama Traore një lojtar të shpejtë dhe të fortë, ashtu siç N’Golo Kante i Çelsit mbetet një lojtar më pak i shpejtë, por teknikisht inteligjent”.
Burimi Sportmediaset/ Përktheu: Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje