Politike

Isa Mustafa: PDK mund të futet në qeveri

Lidhja Demokratike e Kosovës synon ta zgjerojë koalicionin qeverisës. Kreu i kësaj partie, Isa Mustafa ka deklaruar se vendi është futur në një situatë që nuk garanton stabilitet të institucioneve, pas aktakuzës për krime lufte ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.
“Tani jemi futur në një gjendje me shumë të panjohura, që nuk determinon stabilitet apo jo të Qeverisë, por të të gjitha institucioneve të vendit. Para së gjithash, ardhmërinë e shtetit të Kosovës”, ka thënë ai.
Mustafa është pyetur se çfarë mund të ndodhë me pozicionin e presidentit nëse Hashim Thaçi jep dorëheqje në rast të konfirmimit të aktakuzës. Sipas tij, së shpejti do të ndërmerren hapa për të përmirësuar funksionimin e shtetit.
“Në ditët në vijim do të bisedojmë me të gjithë që kanë gatishmëri, jo për të forcuar pushtetin individual apo partiak, por për të forcuar shtetin e Kosovës dhe funksionalitetin e tij. Ata që Kosovën e duan si fushë të gladiatorëve, nuk besoj se ia duan të mirën”, ka deklaruar Mustafa.
Në këto rrethana, sipas kreut të LDK-së, Kosova ka nevojë të mbështesë institucionet e drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare, si dhe njerëzit e saj që ballafaqohen me drejtësinë deri në përfundimin e këtij procesi. PDK-ja nuk ka kthyer përgjigje nëse mund të përfshihet në ndonjë marrëveshje eventuale për çështjen e presidentit.
Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht është duke kërkuar zgjedhje të reja.
Shtyrja e dialogut Kosovë-Serbi për shkak të aktakuzës, sipas opinionistëve, mund të zgjasë më shumë sesa mendojnë institucionet. Zhvillimet me Gjykatën Speciale ndikuan që të dështojë takimi i 27 qershorit në Uashington. Ndërsa akoma nuk dihet nëse gjatë korrikut do të mbahet Samiti i Parisit, që fokus kryesor ka dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./BotaSot


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë