Rend dhe Ligj

Shisnin pa licencë telefona e aksesorë, procedohen penalisht 4 tregtarë në Durrës

Policia e Durrësit ka proceduar penalisht 4 tregtarë, pasi shisnin telefona e aksesorë të tjerë pa licencë dhe dokumentacion përkatës.

Policia thotë se janë proceduar penalisht shtetasit A. B., 44 vjeç, E. S., 44 vjeç, D. S., 31 vjeç dhe B. B., 45 vjeç, banues në Durrës.

Sipas policisë, këta shtetas u konstatuan në lagjen nr. 11, Durrës, tek sheshi “Pranvera”, duke tregtuar pa licencë dhe pa dokumentacionin përkatës telefona celularë dhe aksesorë të ndryshëm, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Ndërkohë janë arrestuar edhe dy shtetas të tjerë. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin Krujë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin  A. Ç., 23 vjeç, banues në Krujë, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nënës së tij.

Ndërsa, specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin J. H., 34 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë duke drejtuar motorin tip “Lonxa”, pa leje drejtimi.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë