Politike

Meta: Parlamenti ilegjitim s’mund të ndryshojë Kushtetutën! Rama: Mos u shqetësoni për koalicionet

Presidenti Ilir Meta thotë se Parlamentit aktual i mungon legjitimiteti për të votuar ndryshimet Kushtetuese, që u kaluan këtë të martë në Këshillin e Legjislacionit si propozim i opozitës parlamentare.

“Presidenti thekson se Kuvendi aktual ka vetëm 82 deputetë legjitimë, ku përfshihen edhe tre deputetët të cilët nuk pranuan të dorëhiqeshin pas vendimit të Opozitës së Bashkuar. 182 deputetë dhe kandidatë për deputetë të partive opozitare refuzuan të ishin pjesë e Kuvendit. Edhe pse shteruan të gjitha listat e partive opozitare prej 18 muajsh, Kuvendi ka formalisht vetëm 122 deputetë nga 140 deputetë që është detyrimi kushtetues”, thotë kreu i shtetit.

Meta deklaron se edhe vetë procesi i zëvendësimit ishte antikushtetues dhe antiligjor. “Ndaj është koha t’i jepet fund çdo marrëzie, fundi i së cilës dihet qartë. E ardhmja europiane e Shqipërisë është alternativa e vetme e të gjithë qytetarëve të këtij vendi. Të gjithë të distancohen nga aventurierët dhe Haxhi Qamilët!”, thotë Meta.

Më herët, opozita jashtëparlamentare akuzoi Kryeministrin Edi Rama se me këtë nismë po minonte marrëveshjen e 5 qershorit dhe se qëllimi i vërtetë i saj nuk është hapja e listave, siç deklaron Kryeministri, por ndalimi i koalicioneve opozitare.

Rama i është përgjigjur si Presidentit Meta, ashtu edhe opozitës jashtëparlamentare.

“Jashtëparlamentares i kujtoj se kemi një marrëveshje e do ta zbatojmë në çdo pikë, po kjo s’do të thotë që sharjet e provokimet nuk e rrezikojnë. Presidenciales i kujtoj se Kuvendi është sovran, i dëgjon të gjithë po vendos vetë dhe hapja e listave për t’i dhënë mundësi edhe qytetarëve e jo vetëm kryetarëve të zgjedhin deputetë, si dhe garantimi i përfaqësimit të grave në kushtet kur listat hapen, i bëjnë mirë vendit”, shkruan ai.

Kryeministri thotë se sa u takon koalicioneve zgjedhore, askush nuk do t’i ndalojë ato.

“As Jashtëparlamentarja, as Presidencialja s’duhet tê merakosen për fatin e koalicioneve parazgjedhore, sepse askush nuk do t’i ndalojë të vazhdojnë ta ndajnë ombrellën e opozitës së bashkuar edhe në zgjedhje! Taksirat ta ndjekin Parlamentin që e duan s’e duan, është vendimmarrësi!”, deklaron ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë