Rend dhe Ligj

Burgjet kundërshtojnë lirimin e Zani Çaushit

Drejtoria e Burgjeve kundërshton lirimin e Myrteza Çaushit. Kreu i burgjeve, Agim Ismaili, është shprehur se i njohuri si Zani Çaushi nuk është rehabilituar dhe nuk ka garanci që pasi të fitojë lirinë nuk do të përfshihet në krime.

Sipas Ismailit situata në burgje aktualisht është e qetë, nuk ka më asnjë rast Covid-19, ndërsa për afro një vit që është aplikuar izolimi i atyre që kanë shkelur rregullat numri ka shkuar në 103 të burgosur.

Më tej, Ismaili sqaron se ka referuar në prokurori edhe gjyqtar të cilët me akrobacitë e tyre ligjore i kanë dhënë lirinë personave që s’e kanë merituar duke shkelur ligjin.

Myrteza Çaushi, i njohur ndryshe si Zani i lagjes Çole dhe një nga emrat më të lakuar në bandat e vitit 1997, ka kërkuar lirinë me kusht. I dënuar me burgim të përjetshëm për një seri krimesh, nga burgu i Drenovës, Çaushi ka kërkuar liri me kusht duke argumentuar se tashmë është rehabilituar, ka fëmijë të mitur dhe nëse del, do të punojë.

E ndërsa pritet që më 17 korrik Zani Çaushi të paraqesë në seancë provat mbi të cilat mbështet kërkesën e tij, vitet e fundit disa emra të njohur të krimit dhe drejtues bandash, kanë arritur të lënë qelitë edhe pse ndaj tyre kishte vendime me burg përjetë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë