Politike

Rama kërkon votat për 5 qershorin dhe një mesazh për ndërkombëtarët

Kryeministri Edi Rama i kërkoi opozitës parlamentare që të heqë dorë nga kërkesa për depolitizimin e administratës zgjedhore dhe të pranojë ofertën e socialistëve që në këmbim të votës për hapjen e listave të votojë pa ndryshuar marrëveshjen e 5 qershorit të arritur në Këshillin Politik.

“Nuk mund t’i merrni të gjitha. Nuk mund t’i kërkoni të gjitha dhe të gjithë së bashku duhet të bëjmë lëshimet tona. Është e pamundur që ne të votojmë së bashku me ju, nëse ju nuk votoni së bashku me ne dhe për ne, marrëveshja e 5 qershorit nuk preket në asnjë pikë të saj”, deklaroi Rama në seancën plenare të kësaj të enjteje.

Kryeministri tha se heqja dorë nga depolitizimi i administratës zgjedhore është i përkohshëm dhe për një qëllim më madhor: rikthimin në sistem të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

“Basha pretendon se ne e pranuam këtë sepse na i futën këmbët në një këpucë. Bëmë një lëshim shumë të madh, sepse kjo ishte rruga më e mirë për të përfshirë opozitën jashtëparlamentare në procesin politik. Ne nuk kemi një qasje autoritariste, sepse ishte rasti për të bërë të kundërtën nëse do të ishim të tillë dhe të thonim, që ju nuk jeni në Parlament. Nga pikëpamja institucionale do të ishim korrekt, por nuk do të ishim korrekt nga pikëpamja politike, sepse PD është një faktor politik, pavarëëisht se nuk është sot në Parlament”, u shpreh ai.

Rama tha se socialistët e kanë të pamundur që të grisin marrëveshjen e 5 qershorit dhe u kujtoi deputetëve të opozitës parlamentare reagimin e zv.kryetarit të grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestagun gjerman, Johann Wadephul. Rama këmbëngul se deklarata e tij është e padrejtë në raport me Parlamentin shqiptar, por e lexon atë si tregues që marrëveshja e 5 qershorit nuk duhet prekur.

Rrezja e mesazheve të përcjella nga Kryeministri nuk u kushtëzua vetëm në Tiranë. Mesazhe të drejtpërdrejta Kryeministri përcolli edhe për ndërkombëtarët.

“U them miqve ndërkombëtarë që nga përfaqësuesja e SHBA, e cila u vendos në dispozicion me bujari dhe durim, hapi edhe derën e shtëpisë së saj, meqë Parlamenti ishte godinë e papranueshme për opozitën jashtëparlamentare, të BE-së, të Britanisë, ashtu edhe zotit Ëadephul, që është më shumë mik me Bashën se me mua, se për sa kohë unë do të jem kryetar i PS-së Parlamenti i Shqipërisë është sovran dhe do të vendoset sikur mendojnë përfaqësuesit e popullit në këtë sallë dhe do të vendoset në respekt të marrëveshjes së 5 qershorit nga njëra anë dhe në respekt të më shumë se 80 për qind të shqiptarëve nga ana tjetër, që duan të vendosin jo vetëm partinë, por edhe deputetin. Këto të dyja janë një fakt me të cilën të gjithë miqtë dhe partnerët tanë duhet të jetojnë”, deklaroi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë