Emri i Marash Kumbullës është i përditshëm në shtypin sportiv italian, pasi është një nga telenovelat kryesore të merkatos së Serisë A. “Gazzeta dello Sport” shkruan sot se Lacio po bën sulmin final për të firmosur me lojtarin shqiptar, por Igli Tares, drejtorit sportiv të bardhekaltërve, i duhet edhe pak punë që të bindë Veronën. Ja çfarë shkruan konkretisht gazeta prestigjioze italiane në versionin “online”:

Lacios i duhen përforcime, është e qartë. “Luajnë gjithmonë të njëjtët lojtarë”, – justifikohet trajneri Simone Inzagi, duke evidentuar problemin e organikës së cunguar për shkak të dëmtimeve, çka bën që skuadra të ketë vështirësi në përballimin e ndeshjeve të dendura.
Sezonin e ri Lacio do të luajë çdo tri ditë, pasi merr pjesë në Ligën e Kampionëve dhe kundërshtarët do të jenë shumë më të fortë, kështu që Tare duhet të forcojë grupin. Objektivi i parë i tij mbetet Marash Kumbulla, mbrojtësi shqiptar i Veronës. Ai i pëlqen shumë jo vetëm drejtorit sportiv, por edhe trajnerit Inzagi. Blerja e Kumbullës i është sugjeruar Lacios edhe nga trajneri i Kombëtares shqiptare, Edi Reja.
Në fund të qershorit, presidenti i Veronës Mauricio Seti, i shoqëruar nga drejtori sportiv D’Amiko, ishte i pranishëm në rezidencën e Lacios për të folur me Lotiton dhe Taren për çështjen e Kumbullës. Oferta e Lacios u konsiderua e mirë, por jo bindëse: 18 milionë euro dhe kartonin e dy lojtarëve mes Kristiano Lombardit, Sofian Kijine, Fabio Maistros dhe Valon Berishës (ky i fundit u shit te Reims). Orët e fundit bisedimet kanë rinisur.

Teksa Verona ishte e impenjuar në ndeshjen me Romën, ku humbi 2-1, Lotito dhe Tare përfituan për të takuar përsëri D’Amikon, ndërsa Setin mund ta takojnë sot. Drejtuesit e Lacios kanë gati ofertën e re, 20 milionë euro dhe kartonin e Andre Anderson, i vlerësuar 10 milionë euro, por Verona kërkon që në marrëveshje të përfshihet edhe një lojtar tjetër, ose të shtohen 5 milionë euro. Te Verona nuk janë dakord me vlerësimin 10 milionë euro të Andersonit. Lotito dhe Tare duan ta mbyllin sa më parë marrëveshjen për të fituar konkurrencën me klubet e tjera të interesuara, veçanërisht Interi. Lacios i duhen urgjent përforcime.
Burimi: Gazzetta dello Sport. Përktheu: Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje