Tre eurodeputetë të spektreve të majta dhe të djathta në Parlamentin Europian në një deklaratë të përbashkët i kërkojnë qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë që të mos dëmtohet konsensusi i arritur me opozitën, por të miratohet marrëveshja e 5 qershorit pa ndryshime.
Kreu i Komisionit për Punët e Jashtme, David McAllister, raportuesja për Shqipërinë Isabel Santos dhe kreu i Delegacionit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, Manolis Kefalogiannis deklaruan se nëse Shqipëria dëshiron të fillojë negociatat e pranimit, ajo duhet të përmbushë angazhimet e saj dhe një prej tyre është pikërisht Reforma Zgjedhore.
Në deklaratë thuhet se çdo modifikim i marrëveshjes pa konsensus rrezikon Konferencën e Parë Ndërqeveritare.
Por pas Bundestagut, edhe PE duket se qëndron krah marrëveshjes së 5 qershorit dhe kundër ndryshimeve kushtetuese që po e pasojnë.
Ndër të tjera, në deklaratë thuhet se çdo vend ka të drejtë të vendosë vetë mbi sistemin zgjedhor të tij, por nga praktikat më të mira ndërkombëtare rekomandimi është që çdo ndryshim në sistem duhet të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse të paktën 1 vit para zgjedhjeve të ardhshme të planifikuara.
“Ne presim që shumica parlamentare të miratojë ndryshimet e nevojshme pa dëmtuar konsensusin e arritur midis Qeverisë dhe Opozitës më 5 qershor. Çdo modifikim i Marrëveshjes pa arritur një konsensus me të gjitha partitë politike mund të rrezikojë thirrjen e konferencës së parë për negociatat e anëtarësimit, dhe për këtë arsye të ngadalësojë procesin e integrimit evropian. Çdo vend është i lirë të vendosë dhe përmirësojë sistemin e tij zgjedhor sipas kontekstit kombëtar dhe konsensusit. Sidoqoftë, praktikat më të mira ndërkombëtare rekomandojnë që çdo ndryshim në sistemin zgjedhor duhet të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente duke filluar të paktën një vit para zgjedhjeve të ardhshme të planifikuara. Ne besojmë se Shqipëria do t’i respektojë këto rekomandime dhe do të punojë më tej drejt arritjes së rezultateve të qëndrueshme në fushat kryesore të reformës”, thuhet në deklaratën e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje