Gjermania i ka dërguar sot një mesazh të fuqishëm vendit tonë, duke sinjalizuar se po konsideron ndarjen e Shqipërisë dhe Maqedonia e Veriut në rrugën e integrimit europian.
Ministri për Punët e Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas deklaroi sot se Gjermania synon mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut gjatë presidencës së saj të Bashkimit Europian, por ishte skeptik për Shqipërinë.
Sa i përket Shqipërisë, ai tha se mesazhi që po përçojnë edhe shtete të tjera anëtare të Bashkimit Europian, është se ka ende hezitim kur vjen fjala për hapjen zyrtare të negociatave me Shqipërinë.
“Në fillim të këtij viti, ne shpresuam në arritjen e një marrëveshjeje lidhur me vendimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ne ishim shumë të kënaqur që kjo u arrit. Ne do të donim që të zhvillonim disa konferenca anëtarësimi gjatë presidencës gjermane. Kjo është më shumë e mundur për Maqedoninë e Veriut sesa për Shqipërinë.
Mesazhi që ne po marrin edhe nga shtete të tjera anëtare është se ka ende hezitim kur vjen fjala për Shqipërinë. Por, edhe nëse ne nuk do mund të avancojmë kaq shpejt me Shqipërinë, ne duhet të fillojmë negociatat dhe konferencat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut. Sigurisht që ne do të donim të bënim të njëjtën gjë për Shqipërinë. Ne nuk e dimë se kur mund të jetë e mundur, por ky është objektivi ynë”, u shpreh ministri gjerman.
Skenari për shkëputjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut, e cila u kërkua nga vende si Franca dhe Holanda, duket se është ende në tryezë, pasi shumë vende anëtare këmbëngulim se edhe pse Shkupi dhe Tirana hapin njëkohësisht negociatat, nuk do të thotë së do të bëhen njëkohësisht pjesë e BE-së.
Edhe pse vitin e kaluar presidenti Emmanuel Macron ishte ai që bllokoi hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Franca iu bashkua Gjermanisë, duke dhënë një “po” me kushte për vendin tonë.
Gjermania dhe Franca kishin gjetur vitin e kaluar një zgjidhje të mesme kur bie fjala për Shqipërinë, për një shkëputje të pjesshme, sipas të cilës Shqipërisë iu vendosen disa kushte.

Pasi vendosi nëntë kushte për të filluar negociatat me Shqipërinë, Ministria e Jashtme gjermane i ka bërë apel vendeve skeptike, si Danimarka, Franca dhe Holanda t’i bashkohen vendimit të saj dhe të mos bëhen pengesë për Shqipërinë. Por pas një viti, Gjermania duket se është dorëzuar.
Deklarata e Mass vjen pas zhvillimeve politike në vend ku Komisioni i Ligjeve miratoi ndryshimet kushtetuese për hapjen pjesërisht të listave dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore. Kjo nismë ka sjellë reagimin e ashpër të Zv.kryetar i Grupit të CDU-CSU në Bungestag Johann David Wadephul.
Wadephul deklaron se reforma zgjedhore duhet të miratohet nga Parlamenti pa ndryshime, ashtu siç përcaktohet në marrëveshjen e 14 janarit 2020. Madje ai kërcënon me bllokimin e konferencës së parë ndërqeveritare dhe procesin e integrimit nëse marrëveshja nuk miratohet ashtu siç është dakordësuar.
“Ndryshimi kushtetues për më tepër do të minonte tërë reformën zgjedhore dhe kështu do ta asgjësonte atë. Në praktikë, kjo do të thoshte, se Parlamenti shqiptar do të bënte të pavlefshme reformën zgjedhore të arritur me marrëveshjen e 5 qershorit. Kjo do të vendoste parlamentin shqiptar dhe shumicën qeverisëse, përfshirë Kryeministrin, kundër vendimit të të gjithë krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Europian, të marrë në mars të këtij viti, dhe do të vinte në veçanti në pikëpyetje perspektivën e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Për më tepër, një qasje e tillë do të ishte një shkelje e jashtëzakonshme e besimit ndaj BE-së, OSBE-së dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për arritjen e një reforme të mirë zgjedhore. Bundestagu gjerman nuk do të aprovojë konferencën e parë ndërqeveritare dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit, për aq kohë sa nuk miratohet marrëveshja e 5 qershorit nga Parlamenti pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime kushtetuese që minojnë këtë marrëveshje”, deklaroi deputeti gjerman. “Prandaj u bëj thirrje kolegëve në Parlamentin shqiptar: Bëni një hap të madh drejt forcimit të demokracisë në vendin tuaj dhe miratoni reformën zgjedhore siç përcaktohet në marrëveshjen e 5 qershorit. Dhe hiqni dorë nga ndryshimet e planifikuara kushtetuese që do ta shkatërronin reformën zgjedhore. Vetëm atëherë ju do të keni akoma mbështetjen e fortë të Bundestagut gjerman. Prandaj: mos vini në pikëpyetje perspektivën e BE-së për vendin tuaj! Populli shqiptar nuk e meriton këtë!, përfundoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje