Politike

Meta njofton tërheqjen e PD: Ndryshimet kushtetuese në Këshillin Politik

Ndryshimet kushtetuese pritet të marrin një zhvillim të ri. Një  lëvizje që në fakt e preku përciptazi në fund të deklaratës së tij edhe Gazmend Bardhi, një ditë më parë.

Përpos ultimatumeve të opozitës se nuk është koha për ndryshime kushtetuese dhe se çështje të tilla si; listat e hapura apo koalicionet parazgjedhore duhet të kalojnë në referendum, nga selia e PD-së vjen një qëndrim më i moderuar; ato të diskutohen në mbledhjen e Këshillit Politik.

Këtë lëvizje e paralajmëroi vetë Meta i cili i kërkoi që pa gdhirë takim kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.

Nga biseda me Bashën, Meta ka kuptuar se PD-ja kërkon që ndryshimet kushtetuese të kthehen për diskutim në mbledhjen e Këshillit Politik, por pa u vonuar në miratimin marrëveshjes së 5 qershorit.

 “Dje në mesnatë mora një mesazh nga një intelektual i nderuar si Prof.Kristaq Kume. Shqetësimi i tij ishte se duhej bërë çdo përpjekje për të shmangur ndryshime kushtetuese të njëanshme sepse do të ishte një kosto shumë e rëndë për vendin.

Ai sugjeronte se çdo ide për ndryshime nga Marrëveshja e 5 Qershorit duhet të shkonte përsëri në tryezën e Këshillit Politik.

Sot në mëngjes, pa gdhirë mirë, i kërkova takim z.Basha për të parë a ishte i hapur për një ide të tillë. Ai më njohu me qëndrimin zyrtar të Partisë Demokratike dhe Opozitës së Bashkuar që është bërë publik dhe u është njoftuar dhe të gjithë partnerëve të shqetësuar për të ardhmen europiane të vendit tonë.

Jam i bindur se ka kaq shumë intelektualë dhe qytetarë që ndajnë këtë shqetësim si të Prof.Kumes. Për këtë arsye po e ndaj me të gjithë ju këtë qëndrim tepër të përgjegjshëm dhe bashkëpunues të Opozitës së Bashkuar…”, shkruan Meta në faqen e tij në Facebook.

Por cili është qëndrimi? Meta ka shpërndarë pjesë nga deklarata e një dite më parë e Sekretarit të Përgjithshëm të PD:

“Nëse Partia Socialiste është vërtet e interesuar për të rihapur diskutimin për çështje të tjera në lidhje me reformën zgjedhore, ajo është e obliguar nga Marrëveshja e 14 Janarit dhe nga Marrëveshja e 5 Qershorit ti parashtrojë ato për diskutime dhe vendimmarrje konsensuale në Këshillin Politik. Çdo diskutim i tillë, sipas Marrëveshjes, NUK mund të vonojë apo pengojë kodifikimin e Marrëveshjes së 5 Qershorit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë