Policia ka dhënë detaje për operacionin “Librezat” i cili zbuloi se si 14 zyrtarë të strukturave shëndetësore në vend falsifikonin dokumentet me qëllim përfitimin, duke bërë korrupsion në këtë kohë pandemie.
Sipas policisë operacioni në fjalë, për të cilën Gjykata e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka dhënë 14 masa sigurie, ndër të cilat 2 masa “arrest me burg”, 9 “arrest shtëpie” dhe 3 të hetuar në gjendje të lirë, ka nisur që prej katër muajsh dhe operacioni është finalizuar pas një pune intensive.
Policia thotë se nga hetimet e kryera ka rezultuar se personat nën hetim janë implikuar në disa episode korruptive si: marrje e vlerave monetare që varionin nga 5.000 deri 10.000 lekë të reja, në këmbim të mosndëshkimit me masë administrative të subjekteve, të cilët ishin konstatuar me shkelje të kushteve higjieno-sanitare; sigurim i librezave shëndetësore të lëshuara në mënyrë fiktive, për shtetas të cilët nuk u janë nënshtruar vizitave mjekësore, duke përfituar shumën 2.000 lekë të reja për çdo librezë; ndërmjetësim me qytetarë të ndryshëm për të bërë tamponin për COVID-19, kundrejt shumave monetare nga 5.000 deri 10.000 lekë të reja; marrje e shumave monetare subjekteve të ndryshme tregtare që të mos i ndëshkonin me masa administrative kur konstatoheshin me shkelje.
Masa “Arrest në burg” është vënë ndaj 2 shtetasve:
N. N., 65 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë mjek tek Instituti i Higjienës Tiranë, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” më shumë se njëherë, kryer në bashkëpunim, “Ushtrim ndikimi i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” kryer më shumë se një herë dhe “Falsifikimi i dokumenteve” dhe ndaj shtetasit H. L., 52 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë mjek tek Instituti i Higjienës Tiranë, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” më shumë se njëherë, kryer në bashkëpunim dhe “Falsifikimi i dokumenteve”;
Masa “Arrest në shtëpi” është vënë ndaj 9 shtetasve:
E. M., 29 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë mjeke tek Instituti i Higjienës Tiranë, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” më shumë se njëherë, kryer në bashkëpunim dhe “Ushtrim ndikimi i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”;
I. H., 67 vjeç, banues në Tiranë, ish-mjek tek Poliklinika Shëndetësore Nr. 1 Tiranë, për veprën penale “Ushtrim ndikimi i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”;
F. D., 65 vjeç, banues në Tiranë, ish-mjek te Poliklinika Shëndetësore Nr. 1 Tiranë, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” kryer më shumë se njëherë dhe në bashkëpunim dhe “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”;
I. H., 50 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë mjek tek Poliklinika Shëndetësore Nr. 6 Tiranë, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”;
A. M., 32 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë mjeke tek Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”;
A. Gj., 57 vjeç, banues në Tiranë dhe E. B., 30 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë mjekë tek Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, për veprën penale “Shpërdorim detyre”;
Masa “Pezullim të ushtrimit të detyrës apo shërbimit publik” ndaj 3 shtetaseve:
L. M., 48 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë mjeke tek Poliklinika Shëndetësore Nr. 6 Tiranë, D. H., 51 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë mjeke tek Poliklinika Shëndetësore Nr. 1 Tiranë dhe M. S., 42 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë mjeke tek Poliklinika Shëndetësore Nr. 4 Tiranë, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”.
Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar: 1.500.000 lekë të reja dhe 2500 euro të gjetura në banesën e personit nën hetim N. N.; 35 libreza shëndetësore të gjetura në disa subjekte tregtare private në qytetin e Tiranës; certifikata dezinfektimi dhe dokumente të ndryshme mjekësore që janë lëshuar në mënyrë fiktive nga punonjësit e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor dhe Instituti i Higjienës Tiranë; 14 aparate celulari të markave të ndryshme dhe një pajisje elektronike tablet.
Policia thotë se vijon puna për dokumentimin ligjor të plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari korruptive.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje