Komisioni parlamentar i ngritur nga Partia Socialiste për të hetuar ligjshmërinë e vendimeve të Presidentit Ilir Meta për anulimin e 30 qershorit dhe për radhën e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese mund të dalë me dy raporte, një nga mazhoranca dhe një nga opozita.
Relatorja socialiste, Klotilda Bushka tha se Komisioni nuk mund të shprehet për një vendim që është ekskluzivitet i Gjykatës Kushtetuese.
“Nisur nga provat dhe natyra e komisionit hetimor që është teknik dhe jo politik, jemi fokusuar te analiza e provave dhe rezultuan disa shkelje si në kuadër të ushtrimit të kompetencave për shkeljet, por edhe emërimet në Kushtetuese. Komisioni nuk mund të shprehet për çështje që janë ekskluzivitet i gjykatave. Janë shkelje që kanë natyrë që diktojnë marrjen e masave të menjëhershme, por nuk janë të mjaftueshme për të justifikuar shkarkimin e Presidentit”, deklaroi Bushka.
“Është e qartë që Presidenti ka kaluar kompetencat për anulimin e zgjedhjeve, por pretendimi i kolegeve deputete se presidenti ka shkelur rëndë kushtetutën, pas analizimit të provave dolëm në konkluzionin se shkeljet nuk janë aq të rënda për shkarkimin, lidhur me objektin shtesë të hetimeve, sigurisht që komisioni hetimor, arrin në konkluzionin që ka nevojë për sugjerime dhe rekomandime për të ndërhyrë në nivelin kushtetues dhe ligjor për të zgjidhur ngërcin”, tha kreu i këtij Komisioni, Ulsi Manja.
Por, shkarkimin e kërkoi opozita parlamentare në raportin e saj, të prezantuar nga deputeti Halit Valteri.
“Opozita parlamentare kërkon shkarkimin e Presidentit të Republikës për shkelje të Kushtetutës”, deklaroi përfaqësuesi i opozitës parlamentare, Halit Valteri.
Megjithatë, edhe opozita parlamentare nuk ishte e unifikuar në këtë qëndrim. Deputeti Adriatik Alimadhi doli hapur kundër.
“Unë nuk jam dakord, jam kundër materialit që ka paraqitur Valteri. Jam në logjikën e raportit që prezantoi zonja Bushka”, tha ai.
Komisioni do të mblidhet sërish të hënën për të miratuar raportin përfundimtar. Kreu i Komisionit, Ulsi Manja tha se raportit prej 47 faqesh i mazhorancës do t’i bashkangjitet raporti me 22 faqe i opozitës parlamentare, si mendim pakice dhe ku kërkohet shkarkimi i Metës. Në raportin e saj, opozita Parlamentare flet vetëm për shkelje të Kushtetutës në rastin e anulimit të zgjedhjeve të 30 qershori dhe nuk cek përplasjen për emrat në Gjykatën Kushtetuese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje