Sekretari për çështjet ligjore në PD, Clirim Gjata denoncoi fenomenin e kanabizimit të vendit, duke e kthyer debatin si 4 vite më parë kur situata ishte problematike në këtë drejtim.
Përmes disa fotosh të bëra publike, Gjata tha se, kanabizimi po ndodh ngado.
“Kjo foto është bërë së fundmi në Kukës. Kjo tjetra i përket plantacioneve me kanabis në Labëri. Kështu është në Malësinë e Dukagjinit, në Malësinë e Krujës, të Tepelenës, të Gramshit, në fshatrat e Beratit, të Vlorës, madje edhe në periferi të Tiranës.
Shqipëria prej 2 vjetësh është rimbjellë fuqishëm me drogë, por policia është urdhëruar të mos shikojë, të mos dëgjojë, të mos shqetësojë bosët e drogës në partneritet me qeverinë”, tha Gjata.
Ai citon edhe raportin e fundit të Antimafias italiane, ku Shqipëria konsiderohet si një nga vendet kryesore në nivel botëror për prodhimin e kanabisit.
“Klanet shqiptare tanimë shprehin zotësi në rritje jo vetëm në tregtinë e drogës, por edhe në përmirësimin e cilësisë së bimëve narkotike që mbjellin, duke importuar në Shqipëri fara të afta për të prodhuar marijuanë në sasi të mëdha, në mes të vendit”- thuhet në raportin e antimafias italiane.
“Raporti ngre alarmin se Shqipëria është kthyer në një pikë kyçe tranziti për heroinën që vjen nga Afganistani dhe Azia Qendrore dhe se, për shkak të lidhjeve të duhura, krimi i organizuar shqiptar është kthyer në një nga furnizuesit kryesorë të Italisë me kokainë nga Kolumbia”, citoi Gjata.
Sipas tij, trafiku rrugor është më i përhapuri, por edhe ai përmes detit dhe kanalit të Otrantos.
“Pyetja që shtron sot çdo qytetar është sesi ka mundësi që policia shqiptare i ka të gjitha këto informacione, e di se ku mbillet droga, e di se kush e mbjell, kush e trafikon, mënyrën dhe vendin nga trafikohet dhe prapë nuk merr asnjë masë?! Nuk ka asnjë edhe një arrestim të vetëm të trafikantëve të drogës. Asnjë shef të shkarkuar policie, me gjithë premtimin pompoz të Sandër Lleshajt. Përgjigja është fare e thjeshtë! Policinë e pengon Ministri i Brendshëm, i cili është në shërbim të paktit të Edi Ramës me trafikantët e drogës”, tha ai.
“Janë këta trafikantë droge që Edi Rama i shet për emigrantë dhe që po synon t’u legalizojë pasuritë e vëna nga droga përmes ligjit të aministisë fiskale.
Ky ligj, nëse miratohet, kundër sugjerimeve të partnerëve tanë strategjikë, nuk ka për të patur jetën e gjatë. Në do të zhbëjmë me efekt prapaveprues çdo dispozitë dhe përfitim nga ky ligj”, theksoi Gjata.
Reagon Lleshaj
Pas publikimit të fotove nga PD, ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.
“Dy fotot e publikuara sot nga PD janë jo vetëm një fiasko në aspektin informativ, po edhe një tjetër shembull i radhës së PD nuk i intereson e verteta, po dizinformimi i publikut!
Policia e Shtetit ka shkatërruar prej ditësh jo vetëm dy parcelat në fotot e lodhura të PD, që mesa duket i kanë dhembur ndonjë kultivuesi a lidhjeje biznesore të vetë PD, por edhe dhjetëra parcela të tilla në të gjithë vendin”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)







Lini një Përgjigje