Politike

Mustafaj rikthehet në PD, do të vlerësojë kandidatët për deputetë

Pas Genc Rulit, Besnik Mustafaj është emri tjetër i rikthyer nga Lulzim Basha në Partinë Demokratike dhe ashtu si Ruli, edhe ish-ministri i Jashtëm i larguar prej vitesh nga “Selia Blu” do të jetë një zë në përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Mustafaj do të jetë anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Kandidaturave, që drejtohet nga Genc Ruli.

“Nuk jam rikthyer për poste, por për një proces sa më të drejtë”, deklaroi Mustafaj për News24.

Ky komision do të ketë për detyrë analizimin dhe përzgjedhjen e emrave më të përshtatshëm për të garuar nën siglën e Partisë Demokratike në zgjedhjet e prill-majit të vitit të ardhshëm.

Procesi i përzgjedhjes së emrave është konceptuar në katë faza. Faza e parë është propozimi i emrave nga baza e partisë, proces që ka nisur në mbarë vendin e ku nuk kanë munguar surprizat “sikletosëse” për Lulzim Bashën, si propozimi i Jozefina Topallit në Shkodër, apo i Mhill Fufit nga baza e Laçit, pavarësisht se ky i fundit u përjashtua në 2016 për shkelje të vendimit të partisë për bojkotimin e Kuvendit.

Në fazën e dytë, emrat e propozuar nga baza do të kalojnë në filtrin e Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve, pra edhe në duart e Genc Rulit dhe të Besnik Mustafajt. Lista do të reduktohet dhe do t’i kalojë sërish për miratim bazës sipas parimit një anëtar, një votë. Pas kësaj lista përfundimtare do të kalojë për miratim në Këshillin Kombëtar të partisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë