Para rifillimit të kampionatit, 20 korriku ishte konsideruar si data për t’u shënuar në kalendar, pasi mund të ndante titullin e Serisë A mes Juventusit dhe Lacios, por më pas situata ndryshoi. Lacio ra në gjendje të lirë në mënyrë të paparashikuar, edhe pse Juventusi thuajse u zhduk pas 4 ndeshjeve të para post Covid.
Skuadra e Sarrit vazhdon të kryesojë bindshëm edhe falë paqëndrueshmërisë së rivalëve. Ndeshja e sotme në “Allianz Stadium” mund ta mbyllë kampionatin, por vetëm nga ana bardhezi. Duket sikur Lacio do të jetë “viktima” për titullin e kundërshtarit, pasi fitorja e Juventusit mund ta çonte në 8 pikë diferencën, por të mos harrojmë se Strakosha me shokë e kanë mundur dy herë (kampionat dhe Superkupë) me të njëjtin rezultat, 3-1.

Natyrisht, kohët kanë ndryshuar, më shumë për Lacion se për Juventusin që mbetet skuadra fituese, por pa shkëlqimin e duhur. Skuadra e Inzagit herë është e shkëlqyer, me lojë të shpejtë e të bukur, dhe herë bëhet një skuadër krejtësisht normale. Në dy fitoret ndaj Juventusit, Lacio ka shfrytëzuar “magjitë” e Luis Albertos, i cili sot në mbrëmje nuk është, ka marrë maksimumin nga Milinkoviç-Saviç, i papërmbajtshëm atëherë, ndërsa sot nuk njihet në fushë. Nëse shtojmë edhe mungesën e gjatë të Lukas Leivas dhe një Imobile që ka humbur kontaktin me golin, është e lehtë të kuptohet pse Lacio ka rënë kaq shumë.
Ndeshja e sotme është edhe një sfidë mes sulmuesve kryesorë të skuadrave. Imobile ka shënuar 29 gola, kurse Kristiano Ronaldo 1 më pak. Është edhe një sfidë trajnerësh, Simone Inzagi gjithmonë është marrë në konsideratë nga drejtuesit e Juventusit për stolin bardhezi, ndërsa për Sarrin është prova e radhës për të bindur klubin.
Burimi: Sportmediaset/ Përktheu: Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje