Një tjetër ngjarje e rëndë në Elbasan. Gjatë një atentati me armë zjarri është qëlluar për vdekje Emiljano Ramazani, 39 vjeç. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “rrethrrotullimi i luleve”, në orën 16:30. Sipas njoftimit të Policisë, autorët kanë ikur drejt Paprit, ku kanë djegur makinën në një ullishte. Në Elbasan ka shkuar edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Njoftimi i Policisë
“Autorët dyshohet se janë larguar me shpejtësi në drejtim të aksit rrugor Bradashesh-Paper, në një ullishte i kanë vënë zjarrin mjetit dhe janë larguar në kodrat përballë Paperit. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjeke të autorëve, po bëhet rrethimi i zonës nga dyshohet se mund të jenë larguar autorët, si dhe janë ngritur menjëherë pika kontrolli në akset rrugore Elbasan-Rrogozhinë, Elbasan-Tiranë dhe Elbasan-Belsh.
Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur FNSH dhe RENEA, si dhe një grup specialistësh të Departamentit të Policisë Kriminale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për fiksimin e çdo prove të mundshme që do çojë në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”.
Kush është viktima
Emiljano Ramazani, viktima e atentatit të sotëm në Elbasan, i njohur edhe me nofkën “Rramani”, është një emër i njohur për Policinë. Ai është arrestuar disa herë më parë. Në vitin 2012 është arrestuar për drogë bashkë me disa persona të tjerë, kurse në vitin 2017 iu gjet kokainë në makinë.
Burimi: Shqiptarja.com
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje