Ofertat e majme financiare triumfojnë në futbollin e sotëm, duke mundur edhe klubet me emër në arenën europiane. I fundit është rasti i ish-kapitenit të Kombëtares, Besnik Hasit, i cili sapo ka firmosur kontratën e re me Al Raed në Arabinë Saudite. Emri i tij ishte lakuar së fundi te Fenerbahçe, klubi i madh turk, por tashmë nuk ka më asnjë dilemë për të ardhmen e Hasit, ai do të vazhdojë të drejtojë arabët e Al Raed.
Drejtuesit e këtij klubi bënë gjithçka për të mbajtur Besnik Hasin në stol. Oferta e rinovimit sigurisht që ishte më e mirë financiarisht dhe ish-mesfushori u bind për të qëndruar, aq më tepër duke parë sjelljen e drejtuesve të klubit karshi tij dhe familjes, të cilën e morën me avion privat nga Belgjika.

Të paktën edhe për një sezon Hasi do të qëndrojë në Arabi. Më parë ai ka drejtuar skuadra me emër në Europë, si Anderlehti në Belgjikë, Legia e Varshavës në Poloni dhe Olimpiakosi në Greqi. Turqia mund të jetë destinacioni i tij në të ardhmen, por jo për sezonin e ri. Emri i Hasit ka qarkulluar disa herë edhe si një kandidat i mundshëm për stolin e Kombëtares, megjithatë bashkëpunimi me kuqezinjtë ende nuk është bërë i mundur.
Besnik Hasi është lojtari i parë kosovar që veshi fanellën e Shqipërisë. Vitet e fundit ai ka spikatur edhe në karrierën si trajner dhe ndoshta do të jetë edhe kosovari i parë që do të drejtojë Kombëtaren e Shqipërisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje