Politike

Këshilli Politik në krizë dhe dy kthesat e PD

Nëse sot do të ishte data 15 qershor, ende pa u zyrtarizuar nisma e ndryshimeve kushtetuese, përgjigja përmes emailit e Partisë Demokratike ndaj ftesës së PS-së për tu mbledhur në Këshillin Politik do të kishte shumë më kuptim, sesa sot kur situata është krejt tjetër. Pse?

Sepse Partia Demokratike, përmes Oerd Bylykbashit, i ka kthyer përgjigje PS-së për një mbledhje Këshilli me dy kthesa të mëdha.

Së pari; PD kërkon të mbledhë Këshillin Politik, jo sot, por nesër pas kalimit në Kuvend të marrëveshjes së 5 qershorit.

Së dyti; PD-ja pranon ftesën me një axhendë krejt ndryshe, jo për ndryshimet kushtetuese që ka propozuar PS-ja përmes Damian Gjiknurit, por për masat shtesë që lidhen me marrëveshjen e 5 qershorit.

“Në Rendin e Ditës së mbledhjes siç kemi rënë dakord në Marrëveshjen e 5 Qershorit, duhet të përfshihet vijimi i punës së Këshillit për zbatimin e pikave 11 dhe 12 të saj, ku specifikohet se: “11. Masat shtesë: Këshilli Politik do të vazhdojë të diskutojë në mirëbesim dhe të përpiqet të arrijë zgjidhje të përbashkëta ku dhe kur është e mundur të adresohen rekomandimet kryesore të ODIHR lidhur me: (1) blerjen e votës; (2) presionin ndaj votuesve dhe administratës publike; (3) keqpërdorimin dhe abuzimin me administratën publike; (4) marrëveshjet e fshehta me grupet kriminale; (5) lirinë dhe sekretin e votës; dhe (6) manipulimin dhe falsifikimin e rezultateve zgjedhore.

Në rast të mos progresit këto propozime NUK do të ndërhyjnë apo vonojnë një marrëveshje dhe kalimin në parlament të masave të dakordësuara në pikat 1-9…”, thuhet në përgjigjen e Bylykbashit për Damian Gjiknurin.

Ky i fundit ka kthyer përgjigje duke u fokusuar tek ajo për të cilën Rama prej 24 orësh kërkon takim; ndryshimet kushtetuese.

“Jemi dakord të takohemi edhe të enjten edhe të premten dhe në çdo kohë që ju e gjykoni të arsyeshme sepse koha është shumë e çmuar në kushtet kur Kuvendi ka një vendimmarrje të rëndësishme në 30 Korrik. Këtu nuk bëhet fjalë thjesht për çështjet e mbetura po për një çështje shumë konkrete, prandaj edhe njëherë ju lutem të konfirmoni praninë tuaj për sot në orën 17:00 pasi opozita parlamentare e ka konfirmuar ndërkohë. 

Duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj ju mirëpresim në ora 17:00”, shkruan Gjiknuri.

I kundërpërgjigjet PD-ja përmes një njoftimi zyrtar ku konfirmon praninë e saj vetëm nesër, ose të premten, sipas axhendës që ajo publikoi më herët dhe jo asaj qe kembengul PS-ja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë