Kur nuk shënon, gjithçka bëhet e vështirë për një skuadër. Pas karantinës, dy sulmuesit e Interit, Romelu Lukaku dhe Lautaro Martinez, duket se kanë frikë nga goli, e thonë numrat.
Kjo dyshe startoi mirë pas rinisjes së kampionatit, që të dy shënuan ndaj Sampdorias, duke i bërë tifozët zikaltër të ëndërronin. Një dyshe u bukur dhe konkrete para Koronavirusit, por më pas që të dy kanë stonuar. Në ndeshjen e fundit ndaj Fiorentinës ishte Lukaku që zhgënjeu totalisht, duke shpërdoruar tri raste të pastra, njërin nga të cilët me një egoizëm të çuditshëm, pasi mund t’i kishte dhuruar Sançezit një gol të thjeshtë. Një lojë të shëmtuar bëri edhe Martinez, i cili gaboi shumë, ose më mirë gjithçka. Momenti delikat i Interit lidhet pikërisht me shterpësinë e sulmit.

Para ndërprerjes së kampionatit, Lukaku dhe Martinez kishin shënuar 36 gola të dy, pas rifillimit të ndeshjeve vetëm 6. Lukaku ka shkuar diçka më mirë, ka shënuar 4 gola, ndaj Sampdorias, Sasuolos, Bolonjës dhe Romës, kurse Lautaro ka ngritur “frenat e dorës”, duke i shënuar vetëm Sampdorias dhe Torinos. Argjentinasi ndoshta është çorientuar nga zërat e merkatos, që kanë nisur që në kohën kur kampionati ishte i ndërprerë.
Zërat për kalimin te Barcelona nga shtypi spanjoll duket se e kanë bërë Lautaro Martinezin të përqendrohet më shumë aty se në fushë. Ai ende nuk e ka treguar atë që kishte bërë para pezullimit të kampionatit nga pandemia. Rritja e Sançezit ndërkohë i ka dhënë trajnerit Konte një alternativë. Kështu, tri javë para fundit, Interi është i pafuqishëm në sulm, sepse dyshja LuLa e ka harruar golin dhe Juventusi po ecën i qetë drejt titullit kampion.
Burimi: Gazzetta dello Sport/ Përktheu: Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje