Përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim refuzuan që të diskutojnë në Këshillin Politik çështjen e ndryshimeve kushtetuese dhe hapjen e listave të kandidatëve për deputetë.
Hapja e listave është kërkesa e bërë nga pakica parlamentare dhe e mbështetur edhe nga socialistët. Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se me, apo pa dakordësinë e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj, këto ndryshime kushtetuese do të ndërmerren më 30 korrik.
“Refuzimi për të diskutuar mbi risitë kushtetuese është në fakt refuzim për të pranuar realitetin dhe kjo është një sëmundje tanimë e vjetër e opozitës jashtëparlamentare! Keqardhje. Por me ata pa ata,Parlamenti vendos edhe për ta, si sot si në 30 korrik. Reflektoni miq! Listat do të hapen”, shkruan Rama përmes një postimi në rrjetet sociale.
Por, për Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, miratimi i njëanshëm i ndryshimeve kushtetuese të propozuara dhe hapja e listave prish marrëveshjen e 5 qershorit. PD thotë se propozimi në fjalë shkel të paktën dy nene të dakordësisë së arritur në Këshillin Politik edhe me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve.
“Çdo veprim i njëanshëm minon dhe nxjerr nga shinat marrëveshjen e 5 qershorit. Nëse për kodin u deshën mbi 6 muaj kohë, kërkohet që Kushtetuta e vendit të ndryshohet për 6 ditë. 6 muaj për kodin e 6 ditë për Kushtetutën”, deklaroi përfaqësuesi i demokratëve, Oerd Bylykbashi.
Socialisti Damian Gjiknuri konfirmoi se çështja e hapjes së listave është kundërshtuar nga PD dhe LSI, duke pretenduar se me këtë qëndrim, opozita po i kundërvihej si qëndrimit të Presidentit Ilir Meta, ashtu edhe atij të ndërkombëtarëve
Raportohet se diskutimet në Këshillin Politik kanë qenë të ashpra, sidomos mes përfaqësuesit të LSI-së, Petrit Vasili dhe Rudina Hajdarit, që ndodhet në këtë Këshill si përfaqësuese e opozitës parlamentare.
“Doni apo nuk doni ju listat do te hapen dhe ju nuk do ta pengoni dot. Opozita parlamentare, që ju nuk e njihni ka në dorë votimin e këtyre ligjeve, që u kaluan e që duan shumicë të cilësuar, si kodi penal, apo kodi procedurës penale”, ka deklaruar Hajdari, që në daljen para mediave i ka kujtuar më pas opozitës së bashkuar se hapjen e listave e mbështesin edhe simpatizantët e saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje