Një operacion anti-kanabis në Patos e Roskovec ka çuar në arrestimin e 3 personave për kanabis.
Në Zharrëz janë arrestuar burrë e grua, pasi u kapën me 18 kg kanabis në banesë, 82 gram fara kanabisi si dhe bimë të kultivuara po në banesë.
“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasit Xh. M., 61 vjeç dhe L. M., 60 vjeçe (bashkëshortë), banues në fshatin Zharrëz, Patos. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 18 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa dhe rreth 82 gr. fara cannabis sativa, ndërsa gjatë kontrollit në pronën e tyre, pranë banesës, u gjetën të kultivuara bimë cannabis sativa, të cilat u asgjësuan”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjithashtu, gjatë këtij operacioni u arrestua në flagrancë edhe shtetasi S. Rr., 35 vjeç, banues në Vlosh, Roskovec.
Siç njofton policia, arrestimi i tij u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesë dhe ambientet përreth saj, iu gjetën dhe sekuestruan 8 kg cannabis sativa. Gjithashtu, nga kontrolli në ambientet e brendshme të banesës është konstatuar një ambient i përshtatur me llamba dhe pajisje të tjera të cilat dyshohet se do të përdoreshin për të kultivuar bimë narkotike.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike” në ngarkim të shtetasve Xh. M. dhe L. M., dhe për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” në ngarkim të shtetasit S. Rr.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje