Futboll

Java e parafundit e Superiores, Vllaznia kërkon pikë mbijetese në Tiranë

Java e 35-të e Superiores, që është edhe java e parafundit e kampionatit, zhvillohet e gjitha sot, ndryshe nga javët e mëparshme, ku ndeshjet shpërndaheshin në 2 apo 3 ditë. Çështja e titullit kampion është zgjidhur, Tirana e ka fituar atë javën që shkoi, ndaj dhe sot shkon më shumë si “turiste” në fushën e Laçit. Kurbinasit duan të ruajnë me çdo kusht vendin e tretë për të shkuar në Ligën e Europës dhe nuk mendohet të hasin në ndonjë rezistencë të bardhebluve.

Dy ndeshjet më interesante të javës pritet të jenë Partizani-Vllaznia dhe Kukësi-Skënderbeu. Shkodranët, në një luftë në distancë me Bylisin për qëndrimin direkt në Superiore, synojnë të marrim maksimumin në fushën e Partizanit. Të kuqtë tashmë nuk kanë asnjë motiv, janë jashtë Europe dhe disi të çorientuar pas largimit të Sormanit. Ata thjesht po presin mbylljen e kampionatit dhe që tani po punojnë për sezonin e ri, duke u fokusuar së pari te çështja e stafit të ri teknik.

Nga një ndeshje mes Partizanit dhe Vllaznisë këtë sezon. Gazeta Si, 24 korrik 2020

Kukësi i vendit të dytë, pas humbjes me Vllazninë në Shkodër, ndeshet me Skënderbeun në “Elbasan Arena”. Është më tepër një sfidë prestigji për dy skuadra që i kanë dhënë tonin Superiores këto vitet e fundit. Kjo është e vetmja ndeshje e programuar për t’u zhvilluar në orën 20:45. Teuta luan në Vlorë ndaj Flamurtarit, kurse Bylisi pret Luftëtarin.

Superiore, java e35-të
Sot, ora 17:45
Partizani-Vllaznia
Laçi-Tirana
Flamurtari-Teuta
Bylis-Luftëtari
Ora 20:45
Kukësi-Skënderbeu


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë