Rend dhe Ligj

Dy të arrestuar nga atentati mbrëmë në Velipojë, policia: Tentuan të vrisnin dy të tjerë

Policia e Shkodrës zbardh ngjarjen e ndodhur gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme në Velipojë, ku u regjistruan disa të shtëna me armë zjarri.

Policia thotë se janë vënë në pranga dy shtetas që tentuan të vrisnin me armë zjarri dy shtetas të tjerë dhe është shpallur në kërkim njëri prej shtetasve që u qëllua me armë, pasi iu kundërpërgjigj me armë autorëve.

Në pranga janë vënë Fatjon Prela 28 vjeç, banues në Shkodër dhe Albert Firkuqja, 30 vjeç, banues në fshatin Rec, Velipojë.

Ngjarja

Këta të rinj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në afërsi të një lokali në Velipojë, rreth orës 22:20 të mbrëmjes së djeshme kanë tentuar të vrasin me armë zjarri, për motive të dobëta, dy të tjerë, shtetasit I. H., 31 vjeç dhe Genc Mujën, 36 vjeç, të dy banues në Shkodër.

Menjëherë pas ngjarjes, ata janë larguar në pyll, por janë kapur nga Policia.

Gjatë kontrollit u janë gjetur edhe disa doza me lëndë narkotike cannabis, të cilat u sekuestruan së bashku me mjetin në pronësi të Fatjon Prelës.

Mbi të rinjtë rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prodhim dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Policia thotë se gjatë konfliktit, shtetasi I. H. ka qëlluar me armë zjarri pistoletë, duke dëmtuar mjetin e Fatjon Prelës, me të cilin po largoheshin të dy autorët. Ndërsa, Genc Muja është lënduar lehtë në këmbë dhe pas marrjes së ndihmës së parë është larguar në banesë.

Në kërkim është shpallur 31-vjeçari I. H për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese” e mbetur në tentativë, “Armëmbajtja pa leje” dhe vijon puna për kapjen e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë