Opozita e Bashkuar propozon hapjen 100 për qind të listave të deputetëve, por me kushtin që të mos ndryshojë as formula aktuale e shpërndarjes së mandateve dhe as formula aktuale e koalicioneve.
Lulzim Basha e hodhi këtë propozim në përfundim të mbledhjes me aleatët në selinë e Partisë Demokratike. Ai tha se propozimi i koalicionit opozitar do të zyrtarizohet nga Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili në mbledhjen e Këshillit Politik.
“Opozita e Bashkuar mbështet hapjen 100 për qind të listave, me kushtin që as koalicionet të mos ndryshohen dhe të mbeten kështu siç janë sot dhe përllogaritja e mandateve të realizohet me formulën aktuale. Propozimi ynë është i drejtë sepse së pari listat hapen 100 për qind dhe nuk ka asnjë synim të fshehur. Synimi i Edi Ramës me hapjen e pjesshme të listave është prishja e koalicioneve”, deklaroi Basha para mediave.
Kreu i PD-së tha se koalicionit opozitar ka vendosmërinë dhe bindjen për të mos lejuar asnjë ndryshim kushtetues të njëanshëm që prek çështjet e zgjedhjeve.
“Këshilli politik është i vetmi vend ku diskutohet. Duke qenë se PS dhe kyetari i saj kanë ndryshuar qëndrim disa herë para dhe pas 5 qershorit dhe tani mendojnë se po u shesin shqiptarëve dashurinë për lista të hapura, si shkak për të ecur me ndryshime të njëanshme, kemi mandatuar sot Bylykbashin dhe Vasilin që sa i takon kësaj çështjeje të propozojnë hapjen 100 për qind të listave”, tha Basha.
Kreu i demokratëve deklaroi se me këtë propozim, opozita tregon seriozitet dhe përgjegjshmëri ndaj qytetarëve, por sërish tha se propozimi në fjalë kushtëzohej nga nevoja për kompromis.
“Unë kam qenë simpatizant i sistemit mazhoritar me dy dhoma, por për hir të konsensusit propozojmë hapjen e listave 100 për qind me kushtin që koalicionet të mbeten kështu siç janë dhe po ashtu edhe formula e shpërndarjes së mandateve”, u shpreh ai.
Sipas propozimit që po shqyrtohet në Kuvend nga socialistët dhe pakica parlamentare, hapja e listave propozohet në dy të tretën e tyre.
Kryeministri Edi Rama e vlerësoi si pozitiv këtë qëndrim të Lulzim Bashës, por të pamjaftueshëm.
Rama thotë se për sasinë e hapjes së listave le të diskutohet në Këshillin Politik pas votimit të ndryshimeve kushtetuese më 30 korrik.
“Pozitiv gjysëm hapi i LBPD për hapjen e listave, që është thelbi i risive kushtetuese! Si e sa do hapen nga jo më pak se 75% në 100% kjo i takon diskutimeve pas 30 korrikut! Deri në 30 korrik ka rëndësi hapja e sotme e LBPD për listat, çka vetëm votimi 30 korrikut e garanton”, thotë ai.
Sa për kushtin e Bashës për koalicionet parazgjedhore, Rama thotë se ato nuk do të ndalohen, por…
“Thjesht do të standartizohen si kudo në Europë,po edhe kjo do të shkruhet e votohet pas 30 korrikut,kështu që për sot i vetmi ndryshim është hapja e LBPD ndaj risisë kushtetuese që do të sjellim në 30 korrik!Mjaft pozitive!”, mbyll reagimin e tij Kryeministri.
Kryeministrit iu përgjigj Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi. Ai i bën thirrje Ramës që të tërheqë amendimet kushtetuese të njëanëshme.
“ER i ra maska! Prano hapjen 100 % të listave dhe tërhiq amendamentin e njëanshëm të tmerrit tënd nga koalicioni opozitar. Frika e ER nga zgjedhjet nuk mund të mbajë peng Shqipërinë!”, thotë Bardhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje