Në një konferencë të përbashkët për shtyp, PD-LSI përmes Oerd Bylykbashit, Gazment Bardhit dhe Petrit Vasilin përcollën qëndrimin e opozitës së bashkuar se janë gati për hapjen e listave jo të pjesshme e propozuar nga PS, por 100%, por pa ndryshuar koalicionet parazgjedhore, sepse në të kundërt sipas opozitës do të ndryshonin rregullat e lojës. Oerd Bylykbashi tha se listat e hapura dhe lejimi i koalicioneve parazgjedhore është teknikisht i zbatueshëm në zgjedhjet e ardhshme, duke bërë publike edhe një model flete të votimit (që aplikohet në Kosovë) ku mund të votohet për secilën forcë politike të koalicionit dhe për listat.
“Opozita ka propozuar dje që palët të bien dakord për të hapur listat 100%, pa kufizime, duke mbajtur në fuqi koalicionet parazgjedhore dhe shpërndarjen e mandateve, siç është aktualisht në fuqi”, tha Gazment Bardhi.
“Me formulën që propozon Edi Rama, 1/3 e listave, pra pjesa fituese, vazhdon të përzgjidhet nga partitë, ndërsa 2/3, pra listat humbëse, të jenë të hapura, pra zgjidhen nga qytetarët.
Kjo do të thotë që sipas formulës së Edi Ramës pjesën dërrmuese fituese të deputetëve ta zgjedhin partitë dhe jo votuesit. Pra, rreth 100 deputetë të jenë të paracaktuar të jenë nga listat e mbyllura dhe vetëm afro 40 deputetë të jenë me votë parapëlqyese, pra me lista të hapura”, vijoi Bardhi.
Sipas tij, Rama e ka të qartë qëllimin me heqjen e koalicioneve parazgjedhore.
“Me ndalimin e koalicioneve parazgjedhore Edi Rama në praktikë çon votat që qytetarët hedhin kundër tij dhe Qeverisë së tij, për partitë e vogla të koalicionit opozitar, që prodhojnë mandate opozitare, si vota për Partinë Socialiste. Pra, votat që qytetarët hedhin për të larguar Edi Ramën, sipas propozimit të Edi Ramës për heqjen e koalicioneve, prodhojnë mandate për Edi Ramën”, tha ai.
Si Gazment Bardhi ashtu edhe Petrit Vasili thane se heqja e koalicioneve nga ana e Ramës është “veprim prej humbësi të madh”.
Ndërsa Oerd Bylykbashi shpjegoi se formula e koalicioneve parazgjedhore nuk ka qenë asnjëherë problem në aplikim për zgjedhjet.
“Duke hequr koalicionet, Rama kërkon të zhbëjë maksimalisht votat dhe vota e partive të vogla bëhet nul. Ky është themeli i anti-demokracisë dhe jo demokracisë. Koalicionet zgjedhore janë traditë 30 vjeçare kushtetuese, janë që në vitin 1998 kështu që përpjekja që bën Rama për të stigmatizuar koalicionet tregon frikën e tij nga përballja më shqiptarët”, tha ai
Megjithatë asnjë prej të treve nuk dha një përgjigje teksa u pyetën disa herë nga media se çfarë do të bëjë opozita në rast se Rama i kalon ndryshimet kushtetuese në 30 Korrik. Ata kërkuan vazhdimisht vijimin e dialogut ne Këshillin Politik për këtë çështje, porse ende nuk kishin marrë përgjigje nga PS.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje