Politike

Basha premton mbylljen në karantinë të inspektorëve të biznesit

Lulzim Basha thotë se paaftësia e Qeverisë, taksat e larta dhe korrupsioni po mbyll me ritme të shpejta biznesin e vogël në vend.

“Paaftësia e qeverisë Rama për t’i ardhur në ndihmë ekonomisë në këtë kohë krize të thellë, është vrastare për biznesin e vogël i cili punëson 70% të shqiptarëve. Ritmet e mbylljes së bizneve të vogla po rriten çdo muaj. Sot ato po ulin masivisht qepenat duke lënë pa punë mijëra familjarë prej taksave të larta, korrupsionit dhe tarifave të shumta të pushtetit lokal”, deklaroi ai.

Kreu i PD-së thotë se zgjidhja e krizës mbërrin vetëm me planin ekonomik të opozitës.

“Plani ynë ekonomik ka në themel të tij mbështetjen dhe nxitjen e bizneseve të vogla si gjenerator të punësimit të shqiptarëve. Një taksë e vetme sa 0.5 për qind e xhiros dhe do të heqim të gjitha taksat dhe tarifat lokale, për të luftuar informalitetin, për të rritur fitimin dhe për të nxitur punësimin”, vijon ai.

Basha premton mbylljen në zyra për një vit të të gjitha inspektoriateve shtetërore, që sipas tij, po terrorizojnë sipërmarrjen.

“Karantinimi i çdo inspektoriati për 1 vit, deri në një reformë të vërtetë të standarteve europiane, do të zhdukë terrorin e bandave të inspektoriateve dhe do të rivendosë dinjitetin dhe lirinë e sipërmarrjes. Shqiptarët meritojnë dhe do të kenë një qeveri që me përgjegjshmëri dhe seriozitet do ti kthejë frymëmarrjen ekonomisë sonë”, mbyll reagimin e tij, kreu i Partisë Demokratike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë