Debati për hapjen e listave është zhvendosur nga vullneti politik për t’i hapur, apo jo, tek teknikalitetet e koalicioneve në rast të hapjes së tyre. Nga shumica socialiste thonë se hapja e listave dhe mosndryshimi i koalicioneve dhe formulës së përllogaritjes së mandateve, ashtu siç propozon opozita krijon tre sfida të pakapërcyeshme në procesin e votimit dhe të numëritmi.
“Së pari, konfuzioni i rritur i zgjedhësve përpara fletës së votimit do të çojë automatikisht në rritje të numrit të fletëve të pavlefshme. Së dyti, zgjatje e frikshme e kohës së numërimit të votave. Komisioneri numërues do duhet të numërojë votat sipas koalicioneve, më pas votat për subjektet brenda grupimeve dhe në fund votat për secilin kandidat të partive respektive. Së treti, secila parti dhe secili kandidat ka të drejtën që të kontestojë numërimin e çdo vote çka çon në rritjen e numrit të kontestimeve, pavlefshmërive dhe sposton në kohë të pacaktuar tabulimin dhe nxjerrjen e rezultatit të zgjedhjeve”, thotë përfaqësuesi socialist në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri.
Gjiknuri thotë se me propozimin e Partisë Demokratike dalja e rezultatit të zgjedhjeve mund të kërkojë ditë, për të mos thënë javë.
“Kaosi në administrimin e procesit do të çonte automatikisht në bërjen pis të zgjedhjeve, opozita do të nxitonte të akuzonte qeverinë si fajtore dhe vendi do të rrezikonte destabilizimin”, deklaron ai.
Por, nga Partia Demokratike iu përgjigj Gazment Bardhi. Ai ndan një këndvështrim tjetër se cili është shkaku i prishjes së zgjedhjeve në vend.
“Zgjedhjet në Shqipëri nuk i ka dëmtuar pjesëmarrja e partive politike në zgjedhje, por bashkëpunimi i Damianit me Ymer Lalat në blerjen e votave, bashkëpunimi i Vangjushit me Avdylajt në caktimin e kandidatëve dhe kërcënimin e votuesve, etj. Pra, zgjedhjet i ka dëmtuar koalicioni i Edi Ramës me krimin e organizuar dhe jo koalicioni parazgjedhor i partive politike”, shkruan Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, në reagimin e shoqëruar me një publikimin e një audio-përgjimit të Bild, ku shfaqet edhe Damian Gjiknuri.
Megjithatë, socialistët këmbëngulin se ndryshimi i formulës së koalicioneve dhe dalja e partive aleate eme një listë të vetme ndihmon jo vetëm në nxjerrjen më shpejt të rezultatit, por edhe për aplikimin e teknologjisë, që është një kërkesë e Partisë Demokratike.
“Hapja e listave të kandidatëve dhe grupimi në koalicione parazgjedhore me lista unike siç e praktikojnë të gjitha vendet kryesore europiane, inkurajon reduktimin e numrit të partive “fantazma” në fletën e votimit. Kjo do të lehtësonte në përspektivën e afërt edhe zbatimin e teknologjisë në proceset e votimit dhe numërimit. Qytetarët do të kishin të drejtën të zgjidhnin përveç partisë edhe për kandidatin e tyre të preferuar, por pa cenuar administrimin e procesit, votimin, numërimin në kohë dhe nxjerrjen e rezultatit”, thotë Gjiknuri.
Nga PD thonë se halli i Edi Ramës nuk është menaxhimi i procesit të votimit, por frika nga humbja e zgjedhjeve.
“I braktisur nga qytetarët, Edi Rama po tenton të prish rregullat e garës në mënyrë të njëanshme, i friksuar nga humbja e zgjedhjeve dhe pushtetit të tij personal, që në 7 vjet e përdori vetëm për të mbështetur veten, oligarkët dhe krimin e organizuar”, deklaron Bardhi.
Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve përsërit qëndrimin e opozitës se nuk do të njohë asnjë ndryshim të njëanshëm të Kushtetutës.
Pika e vetme në të cilën përafrohen qëndrimet e palëve është hapja e listave. Pas propozimit të beftë të demokratëve për t’i hapur plotësisht ato, edhe socialistët nuk e përjashtojnë si mundësi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje