Futboll

Shpikja e Traore, vaji i fëmijëve e shpëton nga ndërhyrjet brutale

Futbollistët më të mirë, për fatin e tyre të keq, janë ata që pësojnë më shumë faulle. Kur për aftësi teknike apo forcë fizike nuk arrin t’ua marrin topin, atëherë ka gjithmonë një opsion: ndërhyrja e parregullt. E di mirë Adama Traore, ylli i Volverhemptonit. Lojtari i krahut, i dalë nga shkolla e Barcelonës, është një tren i vërtetë, muskuloz dhe shumë i shpejtë.

Ai po çmend mbrojtësit e krahëve në Premier Ligë, të cilët, duke mos ditur si ta ndalojnë, e mbajnë nga krahu dhe e rrëzojnë në fushë. Kjo mënyrë loje i ka krijuar probleme spanjollit me origjinë nga Mali, duke e detyruar të bëjë një zgjidhje të veçantë dhe efikase. Sipas “The Sun”, që i referohet një drejtuesi të Volverhemptonit, shpatullat e Traore i kanë krijuar jo pak shqetësim stafit mjekësor, ndaj dhe ata janë detyruar të gjejnë një zgjidhje për ta mbrojtur nga ndërhyrjet e kundërshtarit.

Para ndeshjeve, fizioterapistët e skuadrës angleze i masazhojnë krahët e Traore me vaj trupi fëmijësh, duke i bërë të rrëshqitshëm dhe të vështira për t’u mbajtur nga kundërshtarët. “Është diçka që e kemi studiuar për të mbrojtur Adama Traore, – tregojnë pjesëtarë të Volverhemptonit. – Lojtarit i ka dalë shpatulla 5 herë që kur është pjesë e Volverhemptonit. Mbrojtësit janë të trembur teksa e shohin që t’i kalojë me shpejtësinë e tij dhe i tërheqin krahun. Kur ia lubrifikojmë krahët me vaj, mbrojtësit e kanë më të vështirë dhe kështu evitojmë dëmet”.

Një metodë efikase deri tani, por e rëndësishme është që mbrojtësit, duke parë që nuk e ndalin dot më nga krahët, të mos fillojnë t’i shënjestrojnë këmbët. Në këtë rast, as vaji i trupit të fëmijëve nuk do të bënte mrekulli.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë