Futboll

Ronaldo firmos titullin, Juventusi kampion për herë të 9 radhazi

Juventusi është zyrtarisht kampion i Italisë, për herë të 9-të radhazi. Memoria është selektive, vendos etiketa. Titulli i parë nga këta 9 radhazi është ai i Kontes, i treti titulli i rekordeve, i pesti titulli i përmbysjes, i shtati ai i 3-2-shit ndaj Interit, me Napolin në hotel. Tani duhet një etiketë për të nëntin, që mund të jetë titulli i Sarrit, ose titulli i dyshes Dibala-Ronaldo.

Ndaj Sampdorias, ku Juventusi certifikoi titullin me fitoren 2-0, Dibala luajti 40 minuta dhe u ndërrua për shkak dëmtimi, ndërsa Ronaldo shënoi golin e parë dhe humbi një penallti në fundin e ndeshjes. Bardhezinjtë vuajtën deri në fundin e pjesës së parë, kur portugezi zhbllokoi shifrat pas një pasimit të Pjaniç në zhvillimet e një goditje dënimi. Audero në pjesën e dytë nuk ndali dot një gjuajtje të Ronaldos dhe Bernardeski realizoi edhe golin e dytë, i pari për të në kampionat që shtatori i 2018-ës.

Mauricio Sarri mbyll kështu çështjen e titullit kampion në Serinë A dhe hesht kritikët. Pas humbjes me Udinezen, ai dhe Juventusi nuk mund të gabonin përsëri. Ndër surprizat e sezonit për Juventusin janë Bentankur, i vetmi i pazëvendësueshëm në mesfushë, edhe pse verën e kaluar ishte lojtari i 6-të i repartit, Kuadrado që ka qenë lojtari që ka luajtur më shumë topa në kampionat, dhe Shezni, polaku që është gati të sfidojë portierët më të mirë në botë.

Por jo të gjithë do ta kujtojnë këtë sezon me kënaqësi. Ka edhe zhgënjime. Khedira e ka kuptuar se nuk është më në lartësinë e së kaluarës edhe për shkak të dëmtimeve, Rugani është sfumuar nga Demiral, Pjaniç është shitur tashmë te Barcelona, Rabiot ka bindur vetëm në ndeshjet e fundit, Ramsei ka bërë vetëm ndeshjen me Interin, kurse Matuidi ka rënë shumë me kalimin e kohës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë