Priti 188 ndeshje dhe 6 vjet në Serinë A për të shënuar golin e parë, që në fakt rezultoi vendimtar, sepse i dha 3 pikët Napolit dhe solli më shumë optimizëm në skuadër. Dikush ironizoi në rrjetet sociale, duke shkruar: “2020-a do të mbahet mend më shumë për golin e Hysajt se për Koronavirusin”. Por shqiptari nuk do t’ia dijë për batutat, ai po shijon momentin.
Elseid Hysaj është në formë shumë të mirë dhe mendon se Napoli është gati të përballojë edhe Barcelonën në Ligën e Kampionëve. “Po, pësuam 4 gola (3 u anuluan) nga Sasuolo, por të paktën është VAR-i. Duhet më shumë kujdes në momente të veçanta në mbrojtje. Sasuolo e luan topin si Barcelona, sigurisht niveli i lojtarëve është më i ulët, por duhet të shohim detajet për të rregulluar dy-tre gjëra, pastaj jemi gati”, – u shpreh kapiteni i Shqipërisë në lidhje me sfidën me Barcelonën.

Është folur shumë për një Hysaj që është me valixhet gati për t’u larguar, sidomos në periudhën kur Napoli drejtohej nga Karlo Ançeloti, i cili e aktivizoi pak mbrojtësin e krahut të djathtë, por me Gatuzon gjërat kanë ndryshuar. “Jam shumë mirë, jam i qetë dhe kjo duket në fushë. Napoli është shtëpia ime dhe do ta shijoj deri në momentin kur të rinovoj ose jo me klubin. Në futboll asnjëherë nuk i dihet. Do të flasim me drejtuesit në fund të sezonit, por deri atëherë kemi edhe një ndeshje shumë të rëndësishme”, – ka thënë 26-vjeçari shkodran për të ardhmen.
Burimi: Gazzetta dello Sport/ Përgatiti: Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje