Politike

Listat, koalicionet dhe BKH, Kim dhe Soreca në zyrën e Ramës

Paralelisht me diskutimin e raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar për hetimin e veprimtarisë dhe ligjshmërisë së vendimeve të Presidentit Ilir Meta, Ambasadorja e SHBA-së, në Tiranë, Yuri Kim, dhe ai i BE-së, Luigi Soreca, kanë zhvilluar një takim në kryeministri.

Takimi i dy ambasadorëve, Kim dhe Soreca me kryeministrin Edi Rama përkon me një kohë zhvillimesh të ngjeshura politike dhe jo vetëm.  

Sot vendoset për drejtuesin e BKH-së, ndërsa kane mbetur pezull bisedimet për ndryshimet kushtetuese, ku PD-ja ka propozuar hapje të listave 100% por pa hequr koalicionet parazgjedhore, ndërsa PS-ja i mëshon variantit të saj për hapje të pjesshme listash shoqëruar me heqje koalicionesh.

Në këtë vorbull debati, ku pritet të marrë një farë drejtimi deri më 30 korrik, ambasadorët janë shprehur më herët se të gjitha partitë politike duhet të vazhdojnë diskutimet në Këshillin Politik, me të njëjtin shpirt bashkëpunues dhe gjithëpërfshirës, të demonstruar gjatë miratimit të Marrëveshjes politike të 5 Qershorit.

Procesi i ndryshimeve shtesë, sipas tyre, nuk duhet të cenojë frymën dhe rezultatet e 5 Qershorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë