Tirana po përgatitet për festën e titullin kampion që mungonte prej vitesh, ndërsa trajneri i saj, Emanuel Egbo, është vënë në qendër të një debati dhe kritikash për një deklaratë të dhënë për “BBC”, ku mes të tjerash thoshte se ndaj tij ka pasur racizëm në Shqipëri.
“Po ka pasur njerëz që nuk donin që unë të fitoja titullin me Tiranën, për shkak të ngjyrës sime. Në Shqipëri ka racizëm. Në një ndeshje në transfertë më hodhën banane dhe më pështynë, kurse zyrtarët e Federatës nuk bënë asgjë, sepse ishte një ndeshje jashtë fushe dhe kishte shumë tifozë. Edhe policia ishte aty dhe nuk bëri asgjë nga frika prej tifozëve. Kurse një herë në autobus disa të rinj po më thoshin se ngjaja si një i Al Kaedas. Unë reagova në shqip dhe ata u shtangën”, – ka thënë mes të tjerash Egbo.

Këto fjalë ka sjellë reagime të ndryshme nga njerëzit e futbollit. Sulejman Starova, ish-trajner i Tiranës, është shprehur se Egbo është trajtuar shumë mirë te Tirana dhe se ai ndihet si shqiptar. “Te Tirana e mbanin afër të gjithë, ai është bërë si shqiptar. E kemi vlerësuar si njeri shumë të mirë, kemi folur me superlativa. Nuk e kemi parë ta ofendojnë në derbi, sepse ajo është edhe ndeshja më e nxehtë. E kemi njohur për njeri të urtë”, – u shpreh Starova. Ka edhe nga ata, si profesor Përparim Kabo, i cili ka thënë se Egbo duhet t’i tërheqë deklaratat për racizëm në Shqipëri.
Gjatë intervistës për “BBC”, Egbo ka folur edhe për titulli e fituar me Tiranën, duke pohuar se suksesi i tij ka bërë bujë në Afrikë. “Kur mora drejtimin e ekipit, ishim në zonën e rënies nga kategoria. Ishim më shumë se 15 pikë larg vendit të parë, por më pas nga 23 ndeshje fituam 20. Nuk mund ta imagjinoni sa e vështirë ishte, afrikanët e mi më thonë ‘nuk e ke idenë çfarë ke bërë për ne’. Është njësoj si kur Obama fitoi dhe u bë president i Amerikës. Kështu përjetohet atje. Mund të shohësh rrallë trajnerë me ngjyrë, nuk na jepet mundësia”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje