Nëse do t’i referohemi përgjigjes së ekspertëve të kërkuar nga bashkëkryetari socialist, Damian Gjiknuri, për ndryshimet kushtetuese, atëherë do të kuptojmë shumëçka se çfarë do të bëjë PS-ja.
Sepse në një përgjigje zyrtare, ekspertët i “kanë çuar” më shumë ujë PS-së në argumentet e tyre thelbësisht juridike.
Së pari; ata japin argumentin e mbështetur me kohë prej PS-së se sanksionimi në Kushtetutë me raportin 2/3 nga qytetarët (për zgjedhjen e kandidatëve) dhe 1/3 nga subjektet nuk pengojnë hapjen 100% të listave, atë që në fakt kërkon PD-ja dhe partitë e tjera të opozitës jashtë Kuvendit.
Pyetjes konkrete të Gjiknurit se, a pengojnë apo lejojnë amendamentet kushtetuese që ndodhen në procedurë parlamentare hapjen 100% të listave, ekspertët u përgjigjen.
“Dispozita e ndryshuar sanksionon të drejtën e zgjedhësit për të dhënë votë parapëlqyese, autorizon ligjin zgjedhor që të normojë kriteret dhe rregullat për masën e shtrirjes së votimit parapëlqyes, si dhe vendos kushtin që mekanizmi i votimit parapëlqyes të veprojë mbi jo më pak se dy të tretën e listës së kandidatëve.
Përdorimi në tekstin e kësaj pike i fjalëve “jo më pak se” i jep kushtit formatin e një detyrimi minimal. Çdo shifër më e lartë se dy të tretat është në përputhje me formulimin e amendamentit kushtetues. Çdo shifër më e ulët se dy të tretat është në kundërshtim me të. Në rastin konkret shifra që analizohet është shifra tre të tretat (e shprehur në pyetje si përqindje: 100%). Shifra tre të tretat përfshihet në kushtin e amendamentit dhe përbën nivelin më të lartë të tij”.
E njëjtë gjë vlen edhe për debatin tjetër, nëse
amendamentet kushtetuese i lejojnë koalicionet apo i pengojnë ato.
Në një argument shterues ekspertët shprehen se ndryshimet kushtetuese nuk ndalojnë koalicionet, porse duhet paraqitja e tyre me listë unike kandidatësh, (siç thote PS-ja) dhe jo të përbërë siç pretendon opozita.
“…Formulimi i amendamenteve sipas kompromisit të arritur në Këshillin për Legjislacionin dhe Komisionin e Ligjeve ka hequr fjalinë “Nuk lejohen koalicionet parazgjedhore”.
Këto modifikime kanë shkaktuar debat dhe keqkuptime në opinionin publik. Në diskutimet brenda Këshillit Politik dyshimi për ndalimin e mundshëm të koalicioneve parazgjedhore është mbështetur në dy argumente:
Heqja e fjalëve “koalicione zgjedhore të partive politike” nga lista e subjekteve që regjistrojnë kandidatë sipas nenit 68 do të thotë, se nuk ka më bazë kushtetuese për parashikimin e tyre në ligjin zgjedhor;
Relacioni shoqërues i projektligjit flet qartazi për ndalim të koalicioneve parazgjedhore, duke zbuluar kështu qëllimin që ndiqet me amendamentin.
Së pari: Në vlerësimin tonë “ometimi” nuk do të thotë automatikisht “ndalim”. Nëse do shihej kështu, atëherë do të konkludohej njëkohësisht se heqja e fjalëve “nuk lejohen koalicionet parazgjedhore” nga teksti i amendamentit fillestar do të thotë “lejim”. Në fakt as njëra dhe as tjetra nuk janë automatikisht të vërteta”.
Për të kuptuar efektin e dispozitës analiza sipas ekspertëve duhet të bëhet më e plotë se kaq.
“Dispozita ka një lëndë të përcaktuar qartë dhe kjo lëndë ka lidhje me regjistrimin e kandidatëve, jo me përcaktimin e subjekteve zgjedhore. Formulimi i dispozitës liston subjektet që lejohet të regjistrojnë kandidatë. Këto janë zgjedhësit dhe partitë politike. Një koalicion zgjedhor përbëhet nga dy ose më shumë parti politike. Në këndvështrim sintaksor, dispozita nuk pengon dy ose më shumë parti politike që të regjistrojnë kandidatë, d.m.th. nuk pengon një koalicion zgjedhor të regjistrojë kandidatë.
Sa kohë që “rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet” është ky ligj i cili mund të kufizojë ose zgjerojë listën e subjekteve regjistrues, nëpërmjet rregullave për regjistrimin.
Pa marrë në konsideratë këto rregulla nuk mund të dilet në konkluzionin se nuk lejohen koalicionet të regjistrojnë kandidatë”.
Pra, sipas ekspertëve, amendamentet kushtetuese nuk bëjnë vetë dhe as nuk urdhërojnë ndalimin e koalicioneve zgjedhore nga ligji.
“Deri në këtë pikë ku jemi dhe pa marrë në konsideratë amendamentet që mund t’i bëhen ligjit zgjedhor, nuk mund të pretendohet se amendamentet kushtetuese ndalojnë koalicionet parazgjedhore”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje