Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, apo KAS-i, siç njihet, ka publikuar arsyet e vendimit të 13 korrikut, kur hodhi poshtë dënimin për 2 vjet jashtë Kupave të Europës të Mançester Sitit për dhunim të “Fair Play”-it financiar. Klubi anglez është gjobitur me 10 milionë euro, por skualifikimi i është hequr, sepse UEFA nuk ka paraqitur provat e nevojshme për të vërtetuar akuzat.
Sipas “Calcio e Finanza”, KAS-i ka arritur në konkluzionin se e-mail-et e vjedhura nga hakeri portugez Rui Pinto dhe të publikuara nga siti “Football Leaks”, ku mësohej se Mançester Siti kishte thyer rregullat e “Fair Play”-it financiar me sponsorizime të fryrae dhe fiktive, nuk janë provë e mjaftueshme.

Janë dy kontratat që janë hetuar: ajo mes Sitit dhe “Etisalat” (kompania e telekomunikacionit në Abu Dhabi) dhe ajo mes klubit anglez dhe “Etihad”. “Etihad” ka derdhur shumën e 220 milionë stërlinave si sponsorizim mes sezoneve 2012/13 dhe 2015/16, ndërsa vlera e sponsorizimit të “Etisalat” nuk është bërë e ditur. Sipas UEFA-s, që është bazuar vetëm te e-mail-et e “Football Leaks”, 85% e vlerës së këtyre sponsorizimeve bëheshin realisht direkt nga “Abu Dhabi United Group Investment&Development”, kompania në pronësi të sheikut Mansur bin Zajed, me anë të së cilës ai bleu Mançester Sitin në vitin 2008.
Mbrojtja e Mançester Sitit në KAS u bazua mbi faktin se bëhet fjalë për akuza false. Klubi anglez paraqiti dëshmi dhe prova faktike dhe ngriti pretendimin se “dokumentet e gjetura ilegalisht nuk janë fakte të përshtatshme për vendimin e UEFA-s.” KAS-i ka arritur në konkluzionin se “e-mail-et e “Football Leaks” nuk janë prova për të mbështetur akuzën se Mançester Siti i ka komunikuar UEFA-s informacione të rreme, duke fshehur kapitalet si sponsorizim. Në të njëjtën kohë, duheshin edhe prova kontabiliteti dhe transaksionesh, sepse në të kundërt “nuk është e mundur të faktohet, nëse përmbajtja e e-mail-eve është realizuar apo jo”.
Pjesa më e madhe e gjykatësve të KAS-it po ashtu nuk janë të bindur për faktin se kontributet e sponsorizimit të derdhura nga “Etihad” te Mançester Siti janë të prokuruara nga sheiku Mansur apo “Abu Dhabi Group” nëpërmjet palëve të treta të paidentifikuara. Sipas KAS-it, UEFA duhej të vërtetonte plotësisht se sheiku apo “Abu Dhabi Group” kanë dërguar fonde me anë të palëve të treta. UEFA nuk e ka bërë këtë dhe gjykatësit nuk u bindën se Mançester Siti ka maskuar financimin si të ardhura sponsorozimi. Përfundimisht, mungon një pjesë e rëndësishme që do të plotësonte “puzle”-in, ndaj dhe akuzat e UEFA-s janë hedhur poshtë.
Burimi: Sportmediaset/ Përgatiti: Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje