Nga salla e Kuvendit, kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla tha se nuk ka kthim pas në miratimin e ndryshimeve kushtetuese nesër në seancë.
Kuvendi e ka futur në axhendë në faqen zyrtare të saj, ndërsa Opozita e Bashkuar këmbënguli sërish përmes një deklarate të përbashkët se duhet mbledhja e Këshillit Politik ku të merren parasysh tre pikat që ajo ka propozuar.
Por përpos asaj që ka thënë deri më tash, Opozita e Bashkuar ka një qëndrim shtesë në formë paralajmërimi jo pak të rëndësishëm, që nuk lidhet me ecurinë e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, por me atë që do të ndodhë pas tyre. E paralajmëroi edhe Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, përmes një interviste mediatike se, “është në interes të të gjitha palëve në zgjedhje që të arrijnë një marrëveshje të përgjithshme në një kohë të mjaftueshme përpara ditës së zgjedhjeve, në mënyrë që të kemi një qeveri që pranohet nga të gjithë”.
Të njëjtën paralajmërim por jo aq shkoqur e ka përcjellë sot për herë të parë edhe Opozita e Bashkuar.
“Ju sjellim në vëmendje se çdo akt i njëanshëm, aq më tepër akte që prekin drejtpërdrejt zgjedhjet, cenojnë rëndë legjitimitetin e zgjedhjeve dhe qeverisjet që dalin prej tyre. Gjithashtu, çdo akt i njëanshëm, është një hap me pasoja të rënda që në vend që të kontribuojë në procesin e integrimit europian, e pengon atë duke izoluar Shqipërinë dhe shqiptarët. Për këto arsye, gjithëpërfshirja dhe konsensualiteti është rruga e pashmangshme, në të mirë të Shqipërisë dhe në interes të qytetarëve shqiptarë”.
Ndaj dhe opozita e bashkuar kërkon mbledhjen sot të Këshillit Politik ku parashtron tre pikat e saj:
“Të ndalet ndryshimi i njëanshëm kushtetutes. Të punohet bashkërisht, pa humbur kohë, për hartimin e një amendamenti të përbashkët që mundëson hapjen e listave, pa asnjë ndryshim tjetër shtesë. Të shfrytëzohet kjo kohë që të detajohen rregullat shoqëruese në Kodin Zgjedhor, me qëllim që ndryshimi kushtetues dhe rregullat shoqëruese të Kodit Zgjedhor për hapjen e listave, të shkojnë si një paketë e vetme për miratim në Parlament”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje