Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka zhvilluar një bashkëbisedim online me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Gjykatën e Lartë
Në një postim në Twitter, ambasadorja amerikane thotë se ka dëgjuar planin e këtyre dy institucioneve për arritjen e funksionalitetit të plotë të Gjykatës së Lartë.
“Sh.B.A mbështet reformën në drejtësi në Shqipëri, siç e dini, dhe qëllimet tuaja gjithashtu. Mbështetja jonë është e fortë dhe do të mbetet e tillë. Dhe unë jam personalisht e përkushtuar si përfaqësuesja e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të bëjë gjithçka që mundem për të mbështetur ristrukturimin e Gjykatës së Lartë, në mënyrë që të hidhet një gur tjetër për të arritur objektiva më të gjera”, tha ambasadorja Kim.
Ajo i bëri thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësor që t’i thërrasë ndjenjës së përgjegjësisë dhe angazhimit për të rivënë në punë Gjykatën e Lartë. Ajo vlerësoi rolin e këtyre institucioneve për ecurinë e reformës në drejtësi.
“Më lejoni të them se nuk ka të mohuar që reforma në drejtësi është në fazë kritike. Ju luani një rol shumë të rëndësishëm. Mbaj mend kur u takuam shumë muaj më parë në Ambasadë, kur erdha për herë të parë në Shqipëri. Ne patëm një diskutim të mirë dhe mendoj se në atë kontekst, unë mund t’ju quaja heronjtë e Shqipërisë. Dhe është e vërtetë. Por heroizmi nuk është i lehtë, kërkon sakrificë, kërkon vendime të guximshme, nganjëherë kërkon të mos jesh i deshiruar dhe popullor, dhe kërkon aftësinë për t’i rezistuar presionit dhe sulmit” tha ambasadorja gjatë bashkëbisedimit.
“E di që po sulmoheni. E di. Shpresoj të qëndroni të fortë. Sepse ky është një moment vërtet i rëndësishëm. Nëse i nënshtroheni presionit tani, nëse vendosni të mos bëni gjënë e duhur sepse është më lehtë të shmangni konfliktin, atëherë nuk do të jeni heronj, nuk do të nderoheni. Unë mund t’ju garantoj për këtë. Por nëse ju bëni gjënë e duhur në këtë moment shumë të rëndësishëm, njerëzit do t’ju kujtojnë, unë do t’ju kujtoj, SH.B.A. do t’ju kujtojë ato që keni bërë në këtë moment shumë, shumë të rëndësishëm”, tha Kim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje