Presidenti Ilir Meta i kërkon Qeverisë që të sigurojë falas testet anti-Covid për qytetarët që presin prej ditësh në radhë për të hyrë në Greqi.
“Qytetarët shqiptarë, të cilët prej ditësh ndodhen në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, në kushte tejet të vështira dhe në prag të një krize humanitare, nuk mund të trajtohen si njerëz pa Atdhe dhe pa shtet. Përsëris thirrjen e fortë drejtuar qeverisë shqiptare për të qëndruar pranë qytetarëve dhe për të marrë të gjitha masat, për informimin me transparencë, realizimin FALAS dhe në vendin ku ndodhen të tamponëve për COVID-19”, shkruan ai.
Meta kërkon që me palën greke të negociohet vazhdimisht dhe në funksion të një zgjidhjeje të menjëhershme, ndërsa një thirrje e ka edhe për Athinën.
“U kërkoj autoriteteve greke, që në respekt të frymës së fqinjësisë së mirë dhe lidhjeve të forta tradicionale mes dy popujve, të bëjnë të pamundurën për zgjidhjen e situatës, imazhet e së cilës turpërojnë të dyja vendet”, mbyll reagimin e tij kreu i shtetit.
Thirrje për testime falas bëri edhe ish-deputeti i PD-së, Tritan Shehu.
“Për të stabilizuar disi atë gjendje në kufirin me Greqinë, Qeveria jonë duhet të organizojë me urgjencë një marrëveshje me palën greke: testimin e vazhduar PCR, 24 orësh direkt në të katër pikat kufitare, duke aktivizuar të gjitha kapacitetet e mundshme laboratorike, apo dhe të tjera të kontraktuara nga jashtë, siç bëhet kudo në botë. Ky duhet të jetë propozimi i parë i yni ndaj palës greke, e cila çdo ditë po realizon për shqiptarët në kufi më shumë testime se sa shteti ynë bën në të gjithë vendin, pikërisht për të përmirësuar gjendjen aktuale, e për të filluar lehtësimin e regjimit të kalimit të qytetarëve tanë në tërësi jo vetëm drejt Greqisë, por më tej dhe vendeve të tjera”, propozoi Shehu.
Në lidhje me situatën e krijuar në Kakavijë dhe Kapshticë po nga PD më herët reagoi edhe ish-deputetja Albana Vokshi. Ajo fajësoi Qeverinë për paaftësi në komunikimin me qytetarët dhe kërkoi testime në masë të popullatës.
“Është një krizë që tregon dështimin e qeverisë për të komunikuar me qytetarët e vet në këtë kohë kaq delikate dhe të rrezikshme për shëndetin. Është krizë e krijuar nga paaftësia dhe papërgjegjshmëria e kësaj qeverie, e cila nuk testoi dhe vazhdon të mos testojë masivisht për parandalimin e përhapjes së virusit”, u shpreh Vokshi.
Për opozitën është e turpshme që as Edi Rama dhe asnjë nga ministrat e tij nuk ndërprenë pushimet, por vazhdojnë të relaksohen në resortet dhe vilat luksoze të bregut sipas një axhende që nuk ka asnjë lidhje me interesin e qytetarëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje