Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka shprehur keqardhjen në lidhje me deklaratat e Presidentit Ilir Meta, që kërkoi ndërhyrjen e menjëhershme të strukturave shtetërore për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të bllokuar në kufirin me Greqinë.
“Zoti President, keqardhje për prononcimet tuaja lidhur me situatën e krijuar në kufi. Këta qytetarë nuk jane as pa Atdhe e as pa shtet dhe prova për këtë janë të gjithë ata djem e vajza, burra e gra me uniformën e ushtrisë, të policisë, apo të shëndetësisë, që janë pranë tyre ditë e natë, në këtë situatë vërtetë shumë të vështirë. Pa llogaritur këtu strukturat e pushtetit vendor që nuk rreshtin së ndihmuari nga ora e parë e radhës së gjatë. Është vërtetë për të ardhur keq që në vend të një inkurajimi, e pse jo të një shprehjeje mirënjohjeje për punën që po bëjnë në kushte kaq të vështira, ju gjeni fjalët më të papërshtatshme për një kryetar shtetit”, thotë Xhaçka.
Ministrja e Mbrojtjes thotë se deklarata të tilla nuk i meritojnë as efektivët e ushtrisë, as policia e shtetit, as institucionet shëndetësore dhe as strukturat e pushtetit vendor.
“Djem e vajza, burra e gra që po japin maksimumin për t’u përballur me një situatë që ashtu si zjarret, tërmetet, e së fundi pandemia, nuk e kanë shkaktuar as ata, as shteti, as atdheu, por që atyre u ka rënë barra ta përballojnë dhe po e bëjnë me dinjitet e përkushtim të madh”, vijoi ministra.
Xhaçka thotë se dëshmitarë të punës së strukturave të shtetit janë vetë qytetarët e bllokuar në Kakavijë.
“…dhe për hir të atyre qytetarëve të bllokuar jo prej nesh, por prej një situate që haset sot në kufij mes vendesh të ndryshme, nga Britania, Franca e Spanja e deri në Turqi, Bullgari e Greqi, ne do të vazhdojmë të japim maksimumin, sikurse kemi bërë gjithmonë”, shton Xhaçka.
Ministrja deklaron se është i pakuptueshëm sulmi i Presidentit ndaj Qeverisë dhe shtetit, duke folur për “qytetarë pa atdhe”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje