Politike

Rama vetëofrohet për të zgjidhur krizën politike në Bjellorusi

Në cilësinë e Presidentit të OSBE-së, Kryeministri Edi Rama është vetëofruar për të zgjidhur krizën politike në Bjellorusi. Lajmi konfirmohet nga vetë OSBE përmes një deklarate të bërë publike edhe në faqene saj zyrtare.

Në këtë njoftim thuhet se “OSBE ndjek me shqetësim situatën në Bjellorusi dhe dënohet forca jopërpjestimore e forcave të rendit ndaj protestuesve paqësore”.

“Një dialog i hapur, gjithëpërfshirës dhe konstruktiv është i nevojshëm. OSBE është gati që të mbështesë dhe angazhohet në këtë drejtim me të gjithë faktorët. Një ofertë formale i është dorëzuar qeverisë së Bjellorusisë që Presidenti i OSBE-së, Kryeministër dhe Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, Edi Rama, që së bashku me Presidenten e radhës së OSBE-së, ministren e Jashtme të Suedisë, Ann Linde të takohen (në Minsk) me përfaqësues të Qeverisë dhe të opozitës”, thuhet në njoftim.

Njoftimi mbyllet me thirrjen drejtuar të gjitha palëve në Bjellorusi për nevojën e zbatimit të parimeve të organizatës, përfshirë këtu edhe promovimin dhe mbrojtjen e lirive themelore të njeriut.

Bjellorusia është përfshirë nga protesta masive pas zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit, ku Presidenti Aleksandër Lukashenko u rizgjodh me më shumë se 80 për qind të votave. Lukashenko, i akuzuar për metoda totalitare drejton Bjellorusinë prej viteve ’90. Opozita e ka akuzuar për manipulim të procesit zgjedhor dhe protesta kanë shpërthyer duke kërkuar largimin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë