Politike

Hapja e shkollave, PD: Po rrezikohet jeta e nxënësve

Partia Demokratike thotë se me vendimin për rihapjen e shkollave pa rritjen e buxhetit për arsimin Qeveria po rrezikon shëndetin e qytetarëve.

“Vendimi i qeverisë për rihapjen e shkollave pa marrë asnjë masë paraprake dhe pa shtuar asnjë qindarkë në fondin e buxhetit të arsimit është sa i papërgjegjshëm, aq edhe i rrezikshëm dhe ka sjellë shqetësimin e qindra mësuesve dhe mijëra prindërve të cilët ditët e fundit i janë drejtuar Partisë Demokratike”, deklaroi Albana Vokshi.

Ish-deputetja demokrate identifikoi 5 problematika, që sipas saj, nuk janë marrë parasysh nga Ministria e Arsimit.

“Me sa turne do të zhvillohet shkolla dhe sa të gjata do të jenë orët e mësimit? Prindërit duhet ta dinë që tani këtë informacion për të marrë masa për kujdesin ndaj fëmijëve, ndërkohë që ata janë në punë. Aktualisht, në Tiranë dhe në Durrës, shumë prej shkollave kanë mësim me 2 turne. Është e rëndësishme të dihet çfarë do të bëhet me programin e dështuar mësimor 3 lëndë në 6 orë”, tha Vokshi.

Problematika e dytë lidhet me numrin e nxënësve në një klasë. PD thotë se ky informacion akoma nuk është dhënë nga qeveria, pasi ajo është e papërgatitur dhe nuk ka akoma një plan për sigurinë e fëmijëve.

“Pas shembjes së 106 shkollave kanë ngelur pa ambiente mësimore rreth 12 mijë nxënës në Tiranë, Durrës, Krujë, Kavajë dhe Lezhë. Askush nuk di ku do të shkojnë këta nxënës dhe ku do të japin mësim mësuesit e këtyre shkollave. Asnjë mase shtesë nuk është marrë për transportin për të garantuar distancim fizik”, vijoi ish-deputetja.

Problematika e tretë, që identifikohet nga PD është numri i pamjaftueshëm i mësuesve.

“Ndarja në turne dhe ulja e numrit të nxënësve në klasë do të kërkojë rritjen e numrit të mësuesve. Por deri tani nuk ka asnjë njoftim për këtë nga qeveria. Si do të përballohet nga mësuesit, në mënyrë që orët e mësimit të mos bëhen shkel e shko dhe fëmijët të marrin më të mirën e mësimit në klasa? Qeveria nuk ka as për këtë një përgjigje”, tha Vokshi.

Së katërti, PD tha se rihapja e shkollave do të përkeqësojë gjendjen financiare të familjeve shqiptare.

“Përveç teksteve dhe mjeteve shkollore, shpenzimet shtohen me maskat apo dezinfektantët për fëmijët. A do të marrë përsipër shteti garantimin e tyre falas? Vetë qeveria ka pranuar se janë mbi 10 mijë nxënës që nuk kanë bërë mësim online për shkak të pamundësisë dhe varfërisë. Si do ta përballojnë rihapjen tani, kur vetëm një fëmijë mund të dojë të paktën 10-20 mijë lekë në muaj maska dhe dezinfektantë?”, deklaroi Albana Vokshi.

Në fund, ish-deputetja e opozitës dhe ish-kryetare e Komisionit të Arsimit në Parlament thotë se respektimi i kushteve higjieno-sanitare në ambientet e shkollave është një mision i pamundur.

“Masat anti COVID lidhen së pari me higjienën, por në shkollat tona nuk ka ujë të rrjedhshëm, ndërsa për sapun apo dezinfektantë të tjerë as që bëhet fjalë. Qeveria e ka detyrim t’u thotë prindërve dhe nxënësve si do të sigurojë kushtet higjieno-sanitare, kur për 7 vjet e gjysem nuk ka bërë asnjë investim në këtë drejtim”, u shpreh Vokshi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë