Politike

Basha kërkon porositjen e vaksinës anti-Covid: Qeveria të përcaktojë fondet

Lulzim Basha kërkon nga Qeveria që të sigurojë fondet dhe të paraporosisë vaksinën anti-Covid për të mos mbetur pas me vendet e rajonit në garën për të siguruar të vetmen zgjidhje efikase ndaj pandemisë.

Kreu i demokratëve thotë se sot është e qartë që vaksina që po përgatitet në kohë rekord në laboratorë të ndryshëm të botës është mjeti i vetëm efikas.

“Synimi është që ashtu si jemi vaksinuar kundër fruthit, rubeolës, hepatitit apo edhe virusit të gripit stinor, të mund që të vaksinohemi edhe kundër virusit covid-19 sapo të jetë gati vaksina. Për këtë arsye gjithë vëmendja e qeverive anembanë botës sot është fokusuar tek sigurimi i vaksinës anti-Covid si mënyra e vetme për të ndalur virusin që po merr çdo ditë jetë njerëzish. BE, SHBA, por edhe vendet fqinje me Shqipërinë kanë paraporositur, rezervuar apo kanë ndarë fonde të veçanta për blerjen e saj, duke qenë se kërkesa për vaksinën anti-covid është globale dhe kapacitetet prodhuese nuk mundësojnë dot një shpërndarje të njëtrajtshme të saj. Kjo është e vetmja qeveri që nuk ka thënë ende asnjë fjalë dhe nuk ka bërë publik asnjë plan për sigurimin e vaksinës”, deklaron kreu i PD-së.

Si hap të parë, Basha propozon përcaktimin e fondeve të nevojshme dhe më pas bisedimet me Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të mos lënë shqiptarët pa mundësi vaksinimi. Basha kërkon gjithashtu që Qeveria të bëjë transparencë për situatën reale të infeksionit.

“Shqiptarëve vazhdon t’ju mungojë informacioni se si është situata në spitale, sa teste janë siguruar, sa shtretër, sa aparate respiratore dhe medikamente janë në dispozicion për njerëzit në nevojë. Qytetarët ende nuk kanë mundësi të testohen edhe kur kanë patur kontakt me persona të infektuar. Nuk mund të vazhdohet më kështu! Pasojat e kësaj neglizhence do të jenë fatkeqësisht shumë të rënda, si për shëndetin ashtu edhe për ekonominë e shqiptarëve”, u shpreh ai.

Thirrje për transparencë bën edhe për vaksinën e gripit sezonal.

“Sa vaksina kundër gripit sezonal ka siguruar qeveria? Sa do të jetë fondi në dispozicion për vaksinën anti-covid dhe çfarë protokollesh do të ndiqen për bërjen e kësaj vaksine me qëllim që t’u sigurohet mundësia të gjithë shqiptarëve sipas radhës së përcaktuar nga niveli i rrezikut të ekspozimit?”, pyet Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë