Politike

BE nuk njeh zgjedhjet në Bjellorusi: Gati sanksionet!

Bashkimi Europian vendosi ditën e mërkurë që të mos njohë zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit në Bjellorusi, ku Presidenti, Aleksandër Lukashenko u shpall fitues me mbi 80 për qind të votave.

“Këto zgjedhje nuk ishte as të lira dhe as të drejta dhe nuk plotësuan standardet ndërkombëtare”, tha Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel.

Deklarata e Michel u bë në përfundim të një samiti urgjent të zhvilluar përmes një telekonference të ministrave të Jashtëm të BE-së.

Presidenti i KE paralajmëroi se Brukseli nuk do të mjaftohet vetëm me mosnjohjen e zgjedhjeve.

“Shumë shpejt do të njoftohen sanksionet ndaj një numri zyrtarësh dhe individësh përgjegjës për dhunën, raprezaljet ndaj qytetarëve dhe mashtrimin elektoral”, tha Michel.

Në këndvështrimin e BE-së, protestat në Bjellorusi nuk mund të trajtohen si përplasje gjeopolitike me Rusinë.

“Në radhë të parë kjo krizë është kombëtare dhe ka të bëjë me të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur në mënyrë të lirë dhe të ndershme udhëheqësit e tyre. Ne qëndrojmë të palëkundur pas të drejtës së popullit bjellorus që të vendosë vetë për fatin e tij”, u shpreh Michel.

Protestat janë përshkallëzuar ditët e fundit, kur punonjës të fabrikave të mëdha shtetërore kanë braktisur vendet e tyre të punës dhe u janë bashkuar qytetarëve të tjerë në rrugët dhe sheshet e vendit.

Këto zhvillime detyruan Presidentin Lukashenko, që drejton vendin me dorë të hekurt prej thuajse 3 dekadash, që të propozojë menjëherë zhvillimin e zgjedhjeve të reja, por me kusht që më parë vendi t’i nënshtrohet ndryshimeve kushtetuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë