Futboll

Kapiteni i Mançester Junajtid arrestohet në Mikonos

Probleme për kapitenin e Mançester Junajtid, Herri Meguajër. “Sky Sport”, duke iu referuar medieve greke, bën me dije se mbrojtësi 27-vjeçar është shoqëruar në polici pas një zënke në një lokal mbrëmjen e së enjtes në ishullin Mikonos, ku po kalon pushimet.

Klubi anglez është në dijeni të ngjarjes dhe ka bërë të ditur me një komunikatë se Meguajër po bashkëpunon me autoritetet greke për zbardhjen e ngjarjes. Bashkë me mbrojtësin e “Djajve të kuq”, janë shoqëruar në polici edhe dy anglezë të tjerë. “Klubi është në dijeni të ngjarjes. Herri po bashkëpunon plotësisht me autoritetet greke dhe ne në këtë moment nuk do të bëjmë asnjë koment tjetër”, – shkruhet në komunikatën zyrtare të klubit anglez.

Meguajër me të fejuarën në Mikonos. Gazeta Si, 21 gusht 2020

E fejuara e Maguajër, Fern Haukins, postoi një foto të çiftit në Mikonos në faqen e saj në Instagram të enjten në mbrëmje. Kapiteni i Mançesterit ka shkuar në Greqi pas humbjes në gjysmëfinale të Ligës së Europës ndaj Seviljes. Ndeshjen e parë të sezonit të ri Mançester Junajtid e ka më 19 shtator, kur do të luajë ndaj Kristal Palasit në kampionat.
Maguajër, i lindur nga Shefilld, u bë mbrojtësi më i shtrenjtë në botë, kur nënshkroi për Junajtid nga Leiçester Siti. Mançesteri pagoi 80 milionë euro në gusht të vitit të kaluar për të. Ai ka luajtur edhe 26 ndeshje me Anglinë.

Burimi: Sky Sport/ Përgatiti: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë