Gus Hidink, trajneri i njohur holandez, nuk heq dorë nga trajningu edhe në moshën 73-vjeçare (1 vit më i vogël se trajneri i Shqipërisë, Edi Reja). Ai ka drejtuar disa klube të mëdha dhe disa kombëtare përveç Holandës, por bujë bëri me Korenë e Jugut në vitin 2002, kur e çoi atë deri në gjysmëfinale të Botërorit. Tani ai synon të çojë në Botëror Karaibet, zbulimin e “Gold Cup 2019”. Sapo është emëruar trajneri i kësaj kombëtareje, duke zënë vendin e Bicentinit, i cili lajmin e mësoi nga gazetat.
Në vitin 1634, kur një kompani holandeze themeloi qytetin e Vilemstadit, krijoi një lidhje mes ishujve Karaibe dhe Vendeve të Ulëta, që edhe sot mbetet mjaft solide. Kuraçao, qyteti dhe kryeqyteti i Karaibeve, është një komb i përbërë nga holandezët, kështu që Gus Hidink nuk ka nevojë për vizë dhe as për të mësuar gjuhën për të drejtuar stërvitjen. Trajneri i madh ka firmosur një kontratë deri në qershor të vitit 2022 si trajner i Kuraçaos.

“Ishte vërtet e vështirë ta refuzoje këtë ofertë, – ka thënë ish-trajneri i Valencias, Real Madridit dhe Çelsit, përveç Psv Eindhovenit, me të cilin triumfoi në Kupën e Kampionëve në vitin 1988. – Kuraçao ka bërë progres kohët e fundit (mban vendin e 80-të në klasifikimin botëror të FIFA-s) dhe më pëlqen të ndihmoj lojtarët dhe stafin e tij të rriten”. Mes atyre që trajneri Hidink do ketë në dispozicion në ndeshjet kualifikuese të zonës “Concacaf” për Botërorin e Katarit 2022, janë vëllezërit Zhuninjo dhe Leandro Bakuna, të cilët luajnë në Angli përkatësisht me Hudërsfilldin dhe Kardifin.
Trajneri 73-vjeçar në 20 vitet e fundit ka drejtuar disa kombëtare, si Koreja e Jugut, Rusia në periudhën 2006-10, Turqia 2010-11 dhe Holanda 2014-15. Së fundi ka drejtuar kombëtaren olimpike kineze. Të mërkurën u hodh shorti di grupeve për kualifikueset e Botërorit dhe Kuraçao ra në grup me Guatemalën, Saint Vincent, Grenadines, Kubën dhe British Virgin Islands. Hidink zë vendin e Remko Bicentinit, i cili e drejtonte këtë ekip nga shtatori i 2016-ës, kur zëvendësoi Patrik Klajvertin. Me të Kuraçao regjistroi rezultatin më të mirë në histori, kualifikimin për në “Gold Cup 2019” dhe shkoi deri në çerekfinale, ku u mund 1-0 nga Amerika.
Bicentini, edhe ai holandez, ishte shprehur optimist pas shortit, por 3 ditë më pas vendin e tij e zë Hidink dhe ish-trajneri e mësoi lajmin nga mediet. “Jam shumë i inatosur. Është puna e një jete që shkon dëm, nuk më zë gjumi natën. Besoj se është vendimi i presidentit të ri, por askush nuk më ka thënë asgjë. Lojtarët më kontaktuan sapo mësuan lajmin, janë të tronditur. Më vjen shumë keq, Kuraçao është në zemrën time, po ndërtonim diçka të rëndësishme dhe ishim në rrugën e duhur”, – tha Bicentini. Kuraçao ka lojtarë që luajnë në Europë dhe konsiderohet favorite në grup nga rivalët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje