Të shkosh për pushime në Greqi këtë verë duket pak problem për futbollistët. Pjesa më e madhe e tyre janë të kujdesshëm, duke limituar mundësitë për t’u prekur nga Koronavirusi, por ka edhe ndonjë që veçon nga grupi dhe që ka përfunduar i arrestuar për shkak të një sherri në Mikonos. Herri Meguajër, mbrojtësi i Mançester Junajtid dhe kombëtares angleze, rrezikon shumë…
Lojtari anglez ka pasur disa ditë të komplikuara në Mikonos, ku është ndaluar e më pas lënë i lirë nga policia lokale, pas një zënke me disa turistë të tjerë (thuhet se sherri nisi pasi disa shqiptarë i ngacmuan motrën). Në Angli tabloidët po merren vetëm me këtë ngjarje, duke publikuar detaje të reja të saj. “The Sun”, për shembull, sjell në vëmendje llogarinë që ka paguar Meguajër.

Një ditë para sherrit që i kushtoi arrestimin mbrojtësi anglez, sipas të përditshmes britanike, ai kishte shpenzuar rreth 70 mijë euro për 5 orë në një bar. Grupi që përbëhej nga Meguajër, vëllai i tij Xho, mesfushori i Çelsit Ros Barkli, ylli spektakleve angleze Kris Hjuxh dhe kampioni i bilardos Xhud Tramp, ka konsumuar verëra nga më të mirat dhe aragosta, duke mos u kursyer aspak.
Ndoshta Meguajër duhej t’i kishte kursyer ato para, sepse, sipas asaj që bën me dije “Daily Mail”, ai rrezikon të bëjë burg. Zëvendëspresidenti i shoqatës së bareve të Pireut ka shpjeguar se nëse mbrojtësi shpallet fajtor, duhet të bëjë deri në 3 vjet burg. Ose mund të paguajë një gjobë prej 100 mijë eurosh për t’i shpëtuar burgut. Për të është një javë rrogë, siç raporton tabolidi. Portofoli në fakt është problemi i fundit i Meguajër, që tani rrezikon të humbë edhe shiritin e kapitenit, që e mori pa mbushur një vit si lojtar i Mançester Junajtid. Për këtë çështje në “Old Traford” nuk kishin nevojë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje