Politike

Gjermania kërkon dialog urgjent në Bjellorusi: Oferta e OSBE-së rruga e duhur

Gjermania kërkon nisjen me urgjencë të dialogut mes qeverisë dhe opozitës në Bjellorusi, për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve dhe trazirat e mëtejshme që mund të prodhojnë një tjetër konflikt në dyert e Bashkimit Europian, pas atij të Ukrainës.

Për këtë arsye, zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Steffen Seibert thotë se propozimi i OSBE-së për të ndërmjetësuar dhe lehtësuar këtë dialog është një nisje e mirë.

“Dialogu mes qeverisë, opozitës dhe shoqërisë civile në Bjellorusi është urgjent. OSBE mund ta ndërmjetësojë këtë dialog”, deklaroi zëdhënësi i Qeverisë gjermane.

Propozimi i Presidencës shqiptare të OSBE-së për të ndërmjetësuar krizën në Bjellorusi ka mbërritur prej kohësh në duart e Presidentit, Aleksandër Lukashenko. Në letrën e firmosur nga Kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe ministrja e Jashtme suedez, vendi i së cilës merr Presidencën e radhës të këtij institucioni shprehet gatishmëria për ndërmarrjen e një vizite në Minsk dhe takimi me të gjithë aktorët e përfshirë në krizën që ka goditur vendin.

Bjellorusët protestojnë kundër Presidentit Lukashenko, që qeveris vendin prej vitit 1994. Ata e akuzojnë atë për manipulim të procesit zgjedhor të 9 gushtit, ku Lukashenko mori 80 për qind të votave.

Rezultati i zgjedhjeve nuk njihet nga Bashkimit Europian dhe SHBA, ndërkohë që Rusia ka kërkuar që të mos ndërhyhet në punët e brendshme të Bjellorusisë dhe Presidenti Putin i ka ofruar mikut të tij Lukashenko ndihmë kundër protestave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë