Presidenti Ilir Meta kërkoi marrjen menjëherë të të gjitha masave nga ana e Qeverisë që të shtohet numri i mjekëve. Ai thotë se institucionet nuk duhet të ngurrojnë dhe të kursejnë në këtë drejtim.
“Duke iu referuar të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetit, presidenti me anë të një reagimi në rrjetet sociale, shton se situata që po kalon vendi lidhur me pandeminë COVID-19, janë provë shumë e qartë se pa një sistem shëndetësor plotësisht efiçient dhe të plotësuar me mjekë, shëndeti i qytetarëve do të jetë i rrezikuar”, paralajmëron Meta.
Presidenti e vlerëson problem mjaft serioz numrin e ulët të mjekëve për banorë.
“Të mos hezitohet në asnjë çast për të bërë çdo investim që duhet nga financat publike për të zgjidhur këtë problem kardinal. Sfidat e shëndetit publik janë në rritje ndaj duhen politika më largpamëse, jo vetëm për të frenuar largimin, por për të rritur, motivuar dhe fuqizuar personelin shëndetësor,”-shkruan Meta”, tha ai.
Ky reagim i Metës mbërriti pas publikimit të një harte interaktive nga ana e OBSh-së, ku Shqipëria klasifikohet te lista e vendeve me numër të ulët të mjekëve për banorë.
Kryeministri Edi Rama iu përgjigj tërthorazi. Kreu i Qeverisë postoi në rrjetet sociale një mesazh të regjistruar të ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë ceremonisë së nisjes së punës në QSUT të 48 infermierëve të rinj.
Në shënimin e vendosur përmbi këtë video-mesazh, Rama sqaron se ekipi i infermierëve do të shërbejnë edhe tek Spitali Infektiv, ku trajtohen një pjesë e të prekurve nga Covid-19. Kryeministri deklaron gjithashtu se nga fillimi i pandemisë, sistemi shëndetësor është përforcuar me 150 punonjës të rinj.
“Plot 150 mjekë, infermierë, teknikë, punonjës të hetimit epidemiologjik, monitorimit dhe strukturave të inspektimit në terren, i janë shtuar gjatë kësaj periudhe të epidemisë strukturave të mbrojtjes së shëndetit, në përputhje me nevojën për ta mbajtur në lartësinë e duhur sistemin shëndetësor përballë situatës së jashtëzakonshme të shkaktuar nga COVID-19”, thotë ai.
Pak minuta më vonë, Rama përcjell përmes Facebook-ut të tij një reagim më të drejtpërdrejtë të Ogerta Manastirliut, që e cilëson deklaratën e Metës si “keqinformim publik presidencial”. Manastirliu thotë se shifrat e paraqitura nga Ilir Meta janë të vitit 2016.
“Të dhënat në fjalë, i referohen vitit 2016 dhe për ata që ende nuk e dinë, atë vit Shqipëria dhe sistemi ynë shëndetësor, vazhdonin të vuanin pasojat e një prej vendimeve më absurde që është marrë ndonjëherë nga ndonjë qeveri, në historinë e sektorit të Shëndetësisë: Bllokimi i pashpjegueshëm, për plot 4 vite, i specializimeve të mjekëve të rinj. Kështu kishte vendosur koalicioni qeverisës i periudhës 2009-2013 dhe për 4 vjet me radhë, Shqipëria nuk nxori dot asnjë mjek specializant”, thuhet në reagim.
Ministrja e Shëndetësisë thotë se nga momenti i zhbllokimit të specializimeve në vitin 2018 e dderi më tani sistemit shëndetësor i janë shtuar 309 mjekë.
“Qeveria e Partisë Socialiste e ka vendosur me vepra e me fakte – jo me llafe – mjekun në qendër të politikave të saj për Shëndetësinë. Për këtë arsye sot, mjekë dhe infermierë, bëhesh jo prej tarafit, shokut, mikut, partisë, por prej meritës dhe vetëm meritës. Vetëm në dy vitet e fundit në sistemin tonë shëndetësor janë punësuar mbi 600 mjekë dhe 2400 infermierë”, vijon reagimi.
Ministrja thotë gjithashtu se mjekët dhe infermierët kanë përfituar edhe nga taksa progresive dhe bonuse për vështirësi në punë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje