Futboll

Siti hidhet në sulm për Mesin, Koeman largon 4 nga Barcelona

Sipas “Espn”, Mançester Siti është hedhur në sulm për të marrë Lionel Mesin. Operacioni është shumë i komplikuar, por klubi anglez kërkon të përfitojë nga situata që po kalon ylli argjentinas te katalanasit. Për momentin, Barcelona nuk pret oferta dhe shpreson t’i kthejë buzëqeshjen kapitenit, kontrata e të cilit skadon pas një viti.

Do të duheshin 700 milionë euro për klauzolën e prishjes së kontratës së Mesit me Barcelonën, një shifër e pamundur për çdo klub në botë, por situata mund të ndryshojë nga momenti në moment dhe argjentinasi mund të lërë klubin spanjoll për herë të parë. Mançester Siti po studion çdo detaj për të arritur te 6 herë fituesi i “Topit të Artë”.

Suarez dhe Vidal, drejt largimit nga Barcelona. Gazeta Si, 25 gusht 2020

Në anën tjetër, te Barcelona pritet një revolucion total. Deri tani, trajneri i ri, Koeman, ka jashtë liste katër lojtarë me peshë të skuadrës, konkretisht Suarez, Vidal, Rakitiç dhe Umtiti. Për Mesin trajneri holandez kërkon që të qëndrojë, por kjo mbetet një çështje e hapur. Koeman e ka nisur punën, duke bërë të ditur qëndrimin e tij për çdo lojtar dhe sulmuesi Luis Suarez është jashtë planeve të tij. Ky është rasti më i diskutueshëm, pasi uruguaiani është një hap larg 200 golave me fanellën e Barcelonës. Ajo që nuk e bind trajnerin është mosha e tij, 33 vjeç. Edhe Arturo Vidal, Ivan Rakitiç dhe Samuel Umtiti janë thuajse të larguar.

Në dyshim kanë qenë edhe kolonat e skuadrës, si Buskets dhe Zhrdi Alba, por sipas shtypit spanjoll që të dy i kanë shpëtuar “prerjes” nga trajneri holandez. Një tjetër shans edhe për Grizman, ndërkohë që pritet rikthimi i Koutinjos nga huazimi te Bajerni i Mynihut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë